YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 35

35
1Psalm i Davidit.
Kundërshtoji, o Zot, kundërshtarët e mi,
lufto kundër atyre që më luftojnë.
2Rrok shqytin dhe mburojën
e ngrihu të më ndihmosh.
3Vringëlloje shtizën dhe heshtën
kundër atyre që më përndjekin,
thuaji shpirtit tim:
«Unë jam shpëtimi yt».
4U turpërofshin e u poshtërofshin
ata që kërkojnë të më marrin jetën,
u kthefshin pas të turpëruar
ata që kurdisin ligësi kundër meje.
5U bëfshin si byku që e merr era,
i ndjektë pas engjëlli i Zotit.
6U bëftë e errët dhe shkarëse udha e tyre,
kur t'u jetë vënë pas engjëlli i Zotit.
7Se pa shkak më kanë ngritur kurth,
pa shkak ia kanë hapur gropën shpirtit tim.
8U ardhtë papritur shkatërrimi,
rënçin në rrjetën që vetë e ngritën,
u plandosshin e u shkatërrofshin.
9E shpirti im do të gëzojë me Zotin,
do të ngazëllejë për shpëtimin e tij.
10Tërë kockat e mia do të thonë:
«Kush është si ti, o Zot?
Ti e shpëton të mjerin prej më të fortit,
të vobektin e skamnorin prej plaçkitësit».
11Kundër meje dolën dëshmitarë të ligj,
më pyesin për gjëra që nuk i di.
12Ma shpërblyen të mirën me të keqe,
shpirtin ma shkretuan.
13E unë, kur ata dergjeshin të sëmurë,
me grathore u vesha,
veten me agjërim e mundova,
u luta me kokën përkulur mbi kraharor#35.13 ose: e lutja më kthehej pas.
14Shkoja e vija si shok e vëlla,
kërrusesha në zi si ai që vajton për të ëmën.
15Por, kur u rrëzova unë,
gëzuan e bashkë u mblodhën.
U mblodhën kundër meje të poshtër papandehur,
pa pushim po më shqyejnë.
16Me ngërdheshje tallëse e shpotitëse#35.16 të tjerë: Bashkë me disa palaço zemërkatranë
kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
17O Zot, deri kur do të rrish duke vështruar?
Çliroje shpirtin tim prej sulmeve të tyre,
jetën time të çmuar prej pjellës së luanëve.
18Do të të falënderoj në kuvendin e madh,
mes popullit të shumtë do të të përlëvdoj.
19Mos u gëzofshin për mua
ata që më kot janë armiqtë e mi,
ata që më urrejnë pa shkak
mos e shkelshin syrin.
20Nuk flasin për paqe, por dredhi kurdisin
kundër njerëzve paqësorë të vendit.
21Hapin gojën kundër meje e thonë:
«Ah, ah, e pamë vetë me sytë tanë».
22Por ti, o Zot, e ke parë vetë,
ndaj mos hesht e mos rri larg meje.
23Zgjohu e ngrihu për të më bërë drejtësi,
O Zot, Perëndia im, mbroje çështjen time.
24Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im,
e mos i lejo të gëzojnë për mua.
25Të mos thonë në zemrat e tyre:
«Ah, sa na u gëzua shpirti!»,
apo: «E përpimë».
26U turpërofshin e u poshtërofshin
të gjithë ata që gëzojnë me fatkeqësinë time,
turpi e poshtërimi i mbuloftë
ata që ngrihen kundër meje.
27Ngazëllefshin e dëfrefshin
ata që duan drejtësinë time,
thënçin përherë: «U madhëroftë Zoti,
që paqen e shërbëtorit të tij dëshiron».
28Gjuha ime do të shpallë drejtësinë tënde,
përlëvdimin tënd, tërë ditën.

Currently Selected:

Psalmet 35: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy