YouVersion Logo
Search Icon

Mikea 7

7
Kundër ligësisë
1«Mjerë unë!
U bëra si korrësi i të korrave,
si vjelësi i rrushit,
ku s'ka rrush për të ngrënë
e as fiq që m'i ka ënda.
2U zhduk besëtari nga toka,
s'ka më të drejtë mes njerëzve.
Të gjithë ngrenë pritë për gjak,
zënë njëri-tjetrin me rrjeta.
3Mirë u punojnë duart për keq,
princi kërkon, gjykatësi merr mitë,
i forti flet si ia ka ënda,
e ata bashkë thurin mbrapshti.
4Mirësia e tyre porsi driza,
drejtësia më keq se shkurre ferrash.
Mbërriti dita e ndëshkimit që rojat shpallën,
tani do të pështjellohen.
5Mos i zini besë mikut,
as mos kini shpresë tek i afërti.
Ruaj se hap gojën
para gruas që të shtrihet në gji.
6Se biri e shpërfill të atin,
bija ngrihet kundër të ëmës,
nusja kundër vjehrrës,
armiqtë e njeriut janë njerëzit e shtëpisë.
7Por unë nga Zoti do të vështroj,
do të pres për Perëndinë, shpëtimtarin tim.
Perëndia im do të më dëgjojë.
8Mos u ngazëllo për mua, o armikja ime,
se ndonëse rashë, u ngrita,
ndonëse rri në errësirë,
Zoti është drita ime.
9Do ta duroj zemërimin e Zotit,
se kundër tij mëkatova,
derisa ta gjykojë çështjen time,
e të më shpallë të drejtë.
Ai do të më nxjerrë në dritë
e drejtësinë e tij do të vëzhgoj.
10Armikja do të më shohë
e turpi do ta zërë,
atë që më tha:
“Ku është Zoti, Perëndia yt?”.
Sytë e mi do ta shohin,
kur me këmbë do të shtypet,
porsi balta rrugëve.
11Kjo është dita kur do të ndërtosh muret,
dita kur kufijtë do të zgjerohen,
12dita kur te ti do të vijnë njerëz,
nga Asiria e nga qytetet e Egjiptit,
nga Egjipti deri në Eufrat,
prej detit në det
e prej malit në mal.
13Toka do të shkretohet,
për faj të banorëve të saj,
për faj të veprave të tyre.
14Kullote me kërrabë popullin tënd,
dhentë e trashëgimisë sate,
banorët që veças rrinë në korije,
në mes të kullotave#7.14 ose: Karmelit.
Kullotshin ata në Bashan e Gilgal
si në ditët e moçme.
15Si në ditët kur dole nga toka e Egjiptit,
do t'i dëftoj#7.15 të tjerë: na dëfto mrekullitë.
16Do ta shohin kombet e do të turpërohen
për tërë fuqinë e tyre.
Do ta mbulojnë gojën me dorë
e veshët do t'u shurdhohen.
17Do ta lëpijnë pluhurin porsi gjarpri,
porsi zvarranikët e tokës.
Prej strofujve do të dalin duke u dridhur,
Zotit, Perëndisë tonë, do t'i nënshtrohen të tmerruar
e prej teje do të kenë frikë.
18Cili Perëndi është si ti,
që fajin e fal e shkeljen e kapërcen
për tepricën e trashëgimisë sate?
Zemërimi i tij s'mban përgjithmonë,
se ai kënaqet kur përdëllim tregon.
19Mëshirë do të ketë sërish për ne.
Ai do t'i ndryjë fajet tona,
në fund të detit do t'i hedhë tërë mëkatet tona.
20Do të tregohesh besnik me Jakobin,
dashamirës me Abrahamin,
siç u premtove etërve tanë,
në ditët e kahershme».

Currently Selected:

Mikea 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy