YouVersion Logo
Search Icon

Jozuehu 1

1
Jozuehu prijës i Izraelit
1Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, Zoti foli me Jozuehun, birin e Nunit dhe ndihmësin e Moisiut, e i tha: 2«Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Tani, ngrihu e kalo Jordanin bashkë me gjithë popullin për në tokën që po u jap bijve të Izraelit. 3Po ju jap çdo vend ku t'ju shkelë shputa e këmbës, ashtu siç i thashë Moisiut. 4Që nga shkretëtira e nga Libani e deri në lumin e madh Eufrat, gjithë toka e hititëve deri në detin e madh, ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. 5Askush nuk do të të bëjë ballë sa të jesh gjallë. Do të jem me ty ashtu siç isha edhe me Moisiun dhe nuk do të të lë e as nuk do të të braktis. 6Ji i fortë e ki guxim, sepse ti do t'ia japësh për trashëgim këtij populli këtë tokë, për të cilën iu betova etërve të tyre se do t'ua jap. 7Ti veç ji i fortë e ki shumë guxim, që të mbash ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im, e të bësh gjithçka sipas tij. Mos iu shmang as djathtas e as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. 8Mos e hiq nga goja librin e këtij ligji. Përsiate ditë e natë, që ta mbash e të bësh gjithçka është shkruar në të. Vetëm atëherë do të kesh mbarësi e begati. 9A nuk të urdhërova të jesh i fortë e të kesh guxim? Mos ki, pra, frikë, sepse Zoti, Perëndia yt, do të jetë me ty kudo që të shkosh».
Përgatitjet për të kaluar Jordanin
10Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e u tha: 11«Kaloni përmes fushimit e jepini popullit këtë urdhër: “Bëni gati ushqimet, sepse pas tri ditësh do të kaloni Jordanin, për të pushtuar tokën, që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep si trashëgimi”».
12Fisit të Rubenit e të Gadit, si edhe gjysmës së fisit të Manaseut, Jozuehu u tha kështu: 13«Kujtoni urdhrin që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, kur ju tha se Zoti, Perëndia juaj, ju dha prehje dhe se këtë tokë po jua jep ai. 14Gratë, fëmijët e bagëtitë tuaja të qëndrojnë në tokën që ju dha Moisiu këtej Jordanit, ndërsa trimat tuaj të kalojnë të armatosur në anën tjetër, përpara vëllezërve tuaj. Ndihmojini 15derisa Zoti t'u japë prehje edhe vëllezërve tuaj, që edhe ata, ashtu si ju, të pushtojnë tokën që po iu jep Zoti, Perëndia juaj. Vetëm atëherë mund të ktheheni për të trashëguar tokën që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, këtej Jordanit, nga lindja e diellit».
16Ata iu përgjigjën Jozuehut: «Do të bëjmë siç na urdhërove ti e do të shkojmë ku të na dërgosh ti. 17Ashtu siç kemi dëgjuar Moisiun për çdo gjë, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty, siç ishte edhe me Moisiun. 18Kush nuk ta dëgjon fjalën e nuk u bindet urdhrave të tu do të vritet. Ji i fortë, pra, e ki guxim».

Currently Selected:

Jozuehu 1: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy