YouVersion Logo
Search Icon

Gjyqtarët 21

21
Përtëritja e fisit të Benjaminit
1Burrat e Izraelit ishin betuar në Micpah të mos ua jepnin bijat e veta për gra bijve të Benjaminit. 2Populli shkoi në Betel. Atje u ulën para Perëndisë deri në mbrëmje dhe qanë e vajtuan me dënesë. 3Edhe thoshin: «Përse, o Zot, Perëndi i Izraelit, ndodhi kjo gjë në Izrael? Përse të shuhej sot një fis i Izraelit?». 4Të nesërmen populli u ngrit herët dhe ndërtuan një altar, mbi të cilin kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi. 5Pastaj izraelitët thanë: «Cili nga fiset e Izraelit nuk erdhi në kuvendin që u bë në prani të Zotit?». Ata ishin përbetuar se do të vrisnin këdo që nuk do të vinte në kuvendin e Micpahut, që u mblodh në prani të Zotit. 6Por tashmë izraelitët ndienin keqardhje për pasardhësit e Benjaminit, vëllezërit e tyre, prandaj edhe thanë: «Sot u këput një nga fiset e Izraelit. 7Por çfarë do të bëjmë me ata që kanë mbetur gjallë? Jemi betuar para Zotit të mos ua japim për gra bijat tona».
8Atëherë ata thanë: «Kush nga fiset e Izraelit nuk erdhi përpara Zotit në Micpah?». Morën vesh se në kuvend nuk kishte ardhur askush nga Jabeshi i Gileadit. 9Kur numëruan popullin, panë se nuk kishte ardhur askush nga banorët e Jabeshit të Gileadit. 10Atëherë kuvendi dërgoi atje dymbëdhjetë mijë luftëtarë trima dhe u urdhëroi: «Shkoni e kaloni në teh të shpatës të gjithë banorët e Jabeshit të Gileadit, përfshirë gratë dhe fëmijët. 11Vritini të gjithë meshkujt dhe të gjitha femrat që kanë shkuar me meshkuj. Do të veproni sipas urdhrit që morët». 12Mes banorëve të Jabeshit të Gileadit ata gjetën katërqind vajza, që nuk kishin shkuar me meshkuj, dhe i sollën në fushimin e Shilohut në tokën e Kanaanit.
13Atëherë kuvendi dërgoi lajmëtarë te pasardhësit e Benjaminit, që ishin strukur te shkëmbi i Rimonit, për t'u shpallur paqen. 14Pasardhësit e Benjaminit u kthyen dhe kuvendi u dha për gra vajzat që kishin mbetur gjallë nga Jabeshi i Gileadit, por nuk pati mjaft për të gjithë.
15Popullit i erdhi shumë keq për pasardhësit e Benjaminit, sepse Zoti kishte hapur një të çarë mes fiseve të Izraelit. 16Atëherë pleqësia e kuvendit tha: «Çfarë do të bëjmë për ata që mbetën pa gra, duke qenë se gratë e fisit të Benjaminit janë vrarë?». 17E thanë: «Ata që kanë mbetur nga fisi i Benjaminit duhet të kenë trashëgimtarë, që të mos shuhet një fis i Izraelit. 18Nuk mund t'u japim bijat tona për gra, sepse jemi betuar e kemi thënë: “Mallkuar qoftë ai që i jep vajzë për grua fisit të Benjaminit”. 19Ja, çdo vit bëhet një festë për nder të Zotit në Shiloh, që ndodhet në veri të Betelit, në lindje të rrugës nga Beteli në Shekem dhe në jug të Lebonahut». 20Pastaj u dhanë këtë urdhër pasardhësve të Benjaminit: «Shkoni e fshihuni nëpër vreshta. 21Kur të shihni vajzat e Shilohut teksa shkojnë për të vallëzuar, dilni nga vreshtat dhe secili të rrëmbejë një nga vajzat e Shilohut për grua. Pastaj shkoni në vendin e Benjaminit. 22Kur të vijnë etërit apo vëllezërit e tyre për t'u ankuar, do t'u themi të tregohen zemërgjerë, sepse në betejën e Jabeshit nuk gjetëm gra për të gjithë. Ata nuk do të jenë fajtorë për shkelje të betimit, sepse nuk ua dhanë vetë gratë». 23E ashtu bënë pasardhësit e Benjaminit. Rrëmbyen aq vajza kërcimtare sa u duheshin dhe u kthyen në trashëgiminë e tyre. I ndërtuan sërish qytetet dhe banuan në to. 24Atëherë edhe izraelitët u shpërndanë dhe secili shkoi te fisi, te familja dhe te trashëgimia e tij.
25Në atë kohë nuk kishte ende mbret në Izrael dhe secili vepronte si t'i dukej e drejtë.

Currently Selected:

Gjyqtarët 21: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy