YouVersion Logo
Search Icon

Hebrenjve 13

13
Jeta që i pëlqen Perëndisë
1Dashuria vëllazërore le të mbetet!
2Mikpritjen mos e harroni, sepse nëpërmjet saj, disa, pa e ditur, pritën engjëj në shtëpi.
3Kujtoni të burgosurit, si të ishit edhe ju të burgosur me ta. Kujtoni edhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju jeni njerëz me trup si ata.
4Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse kurvarët dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore do t'i gjykojë Perëndia.
5Sjellja juaj të mos ndikohet nga lakmia për para. Le t'ju mjaftojnë ato që keni, se Perëndia ka thënë: nuk do të të lë vetëm e as nuk do të të braktis. 6Kështu mund të themi me guxim:
Zoti është ndihma ime
dhe nuk do të kem frikë.
Ç'mund të më bëjë njeriu?
7Kujtoni krerët tuaj që ju shpallën fjalën e Perëndisë. Shikoni si e jetuan jetën dhe shkërbeni besimin e tyre.
8Jezu Krishti është gjithnjë i njëjti, dje, sot e në amshim. 9Mos rendni pas mësimeve të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra të forcohet me hir e jo me të ngrëna. Ata që vepruan kështu nuk patën asnjë dobi. 10Ne kemi një altar, nga i cili nuk kanë të drejtë të hanë ata që e adhurojnë Perëndinë në tendë.
11Kryeprifti çon në shenjtërore gjak kafshësh, të cilin e kushton për mëkatet, ndërsa vetë kafshët digjen jashtë vendbanimit. 12Prandaj edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit, që ta shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të tij. 13Kështu, le të dalim edhe ne jashtë vendbanimit e të shkojmë drejt tij, duke duruar të njëjtin poshtërim. 14Sepse nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.
15Nëpërmjet Jezuit, le t'i kushtojmë gjithnjë Perëndisë flijim lavdërimi, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij. 16Mos harroni të bëni bamirësi dhe të ndani me të tjerët ato që keni, sepse të tilla flijime i pëlqejnë Perëndisë.
17Bindjuni krerëve tuaj dhe nënshtrojuni atyre, pasi ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, meqenëse do të japin llogari para Perëndisë. Kështu, ata do ta bëjnë këtë gjë me gëzim dhe jo duke u ankuar, sepse kjo nuk do t'ju sillte dobi.
18Lutuni për ne! Ne jemi të bindur se e kemi ndërgjegjen e pastër, sepse në çdo gjë dëshirojmë të sillemi mirë. 19Po ju kërkoj në veçanti të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju.
Përshëndetjet e fundit
20Perëndia i paqes, ai që ngjalli prej të vdekurve bariun e madh të deleve, Zotin tonë, Jezuin, me gjakun e të cilit siguroi besëlidhjen e amshuar, 21ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë ndër ne çdo gjë që i pëlqen të bëhet, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!
22Ju lutem, vëllezër, dëgjojini me kujdes këto fjalë ngushëllimi, sepse ju shkrova shkurt.
23E morët vesh që vëllai ynë Timoteu u lirua nga burgu. Nëse ai mbërrin së shpejti këtu, do të vij t'ju shoh bashkë me të.
24Përshëndesni të gjithë krerët tuaj dhe të gjithë të shenjtët.
Ju përshëndesin vëllezërit nga Italia.
25Hiri i Perëndisë qoftë me të gjithë ju!

Currently Selected:

Hebrenjve 13: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy