YouVersion Logo
Search Icon

Kuvendari 2

2
Kotësia e arritjeve
1Atëherë thashë me vete: «Eja, pra, e provo edhe kënaqësinë! Dëfrehu!». Por, ja, edhe kjo është tymnajë. 2Për gazmimin thashë: «Marrëzi!». Edhe për kënaqësinë: «Për çfarë duhet?». 3U orvata me zemër ta kënaqja trupin me verë, ndonëse zemrën ma drejtonte urtia, e të arrija çmendurinë, derisa të shihja ku është ajo e mirë që bëjnë njerëzit nën qiell përgjatë gjithë jetës së tyre. 4Bëra vepra të mëdha, ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta për vete. 5Bëra për vete kopshte e pemishte dhe i mbolla me të gjitha pemët frutore. 6Bëra për vete pellgje uji për të ujitur pyllin me fidanë. 7Bleva skllevër e skllave për vete dhe të tjerë më lindën në shtëpi. Pata edhe shumë tufa bagëtish e grigja për vete, më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. 8Grumbullova për vete argjend e ar, si edhe thesarin e mbretërve e të krahinave. Mblodha për vete këngëtarë e këngëtare, si edhe shumë gra, që janë kënaqësia e njerëzisë.
9U bëra i madhërishëm e ua kalova të gjithë paraardhësve të mi në Jerusalem. Madje edhe urtia ndenji me mua. 10Çfarëdo të më lypnin sytë, nuk ua mohoja. Nuk ia mohova zemrës asnjë kënaqësi, se zemra ime kënaqej me të gjitha mundet e mia dhe këtë e kisha si shpërblim për çdo mund. 11Pastaj i kundrova të gjitha veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin që kisha derdhur për t'i bërë. Dhe, ja, gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës, se nuk ka dobi nën diell.
Kotësia e urtisë
12Atëherë u solla për të kundruar urtinë, marrëzinë e çmendurinë. Se, ç'mund të bëjë dikush që vjen pas mbretit, që s'e kanë bërë të tjerë më parë? 13Pashë se urtia është më e dobishme se marrëzia, siç është drita është më e dobishme se errësira.
14I urti i ka sytë në ballë,
i marri ecën në errësirë.
Por prapë unë e di se të dy i pret i njëjti fat. 15Prandaj, thashë më vete: «Edhe mua më pret fati i të marrit. Atëherë, ç'dobi kam të bëhem i urtë?». Dhe thashë në zemrën time se edhe kjo është tymnajë. 16Se nuk mbetet përherë kujtimi i të urtit, as i të marrit, por harrohet gjithçka që në ditët në vijim. Si mund të vdesë i urti me të marrin? 17E urrej jetën, se më duket e ligë çdo punë që kryhet nën diell. Se gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës.
Kotësia e mundit
18E urrej të gjithë mundin që kam derdhur nën diell, se duhet t'ia lë njeriut që vjen pas meje 19dhe kush e di nëse do të jetë i urtë apo i marrë? Ai do ta zotërojë tërë mundin që kam derdhur me urti nën diell. Edhe kjo është tymnajë. 20Atëherë zemrën ma kaploi përsëri trishtimi për tërë mundin që kisha hequr nën diell, 21se ka njerëz që mundohen me urti, me dituri e arritje, për t'i lënë pjesën e vet dikujt që nuk është munduar fare. Edhe kjo është tymnajë e ligësi e madhe. 22Çfarë arrin njeriu me tërë mundin e vet, duke u orvatur me zemër, duke u munduar nën diell? 23Tërë ditët e tij janë stërmundim. Ngasje është detyra e tij. As natën nuk i prehet zemra. Edhe kjo është tymnajë.
24Nuk ka asgjë më të mirë për njeriun sesa të hajë, të pijë e t'i kënaqet shpirti me mundin e vet. Edhe kjo, vërejta, vjen prej dorës së Perëndisë, 25se kush mund të hajë e të kënaqet më shumë se unë? 26Se, njeriut që i pëlqen, ai i jep urti, dituri e gëzim, ndërsa mëkatarit i cakton si detyrë të mbledhë e të grumbullojë, për t'ia dhënë kujt të dojë Perëndia. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës.

Currently Selected:

Kuvendari 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy