YouVersion Logo
Search Icon

2 Samuelit 24

24
Regjistrimi i popullsisë
1Zemërimi i Zotit u ndez sërish kundër Izraelit. Ai e nxiti Davidin kundër izraelitëve e i tha: «Shko e numëro Izraelin dhe Judën». 2Mbreti i tha Joabit, kreut të ushtrisë, që ishte me të: «Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani në Bershebë, dhe bëj regjistrimin e popullit, që të di numrin e popullsisë». 3Joabi i tha mbretit: «Zoti, Perëndia yt, e shumoftë popullin njëqindfish dhe imzot mbreti e paftë me sytë e vet! Por, pse e do këtë gjë?». 4Por fjala e mbretit ishte më e fortë se Joabi dhe krerët e ushtrisë, prandaj ata u larguan nga prania e mbretit dhe shkuan për të regjistruar popullin e Izraelit. 5Ata kaluan Jordanin dhe fushuan në Aroer, në jug të qytetit që shtrihet në mes të vaut, dhe pastaj shkuan në Gad dhe në Jazer. 6Mandej mbërritën në Gilead dhe në krahinën e Tahtim Hodshiut, shkuan në Dan Jaan dhe në rrethinat e Sidonit 7dhe mbërritën në fortesën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e hivitëve dhe të kananitëve. Mandej dolën për në Negev të Judës në Bershebë. 8Pasi përshkuan mbarë vendin, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh. 9Joabi i dorëzoi mbretit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej tetëqind mijë burra në Izrael dhe pesëqind mijë burra në Judë.
Ndëshkimi
10Por Davidin filloi ta brejë ndërgjegjja për regjistrimin e popullsisë. Atëherë ai i tha Zotit: «Mëkatova shumë me këtë gjë që bëra. Por, po të përgjërohem, o Zot, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». 11Kur Davidi u ngrit në mëngjes, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, vegimtarit të Davidit e i tha: 12«Shko dhe thuaji Davidit se kështu thotë Zoti: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». 13Gadi erdhi te Davidi për t'i treguar e i tha: «A do që të bien mbi ty shtatë vjet zi buke, tre muaj arrati dhe përndjekje nga armiqtë e tu, apo tri ditë murtajë në vendin tënd? Tani vendose dhe shihe vetë çfarë duhet t'i përgjigjem atij që më dërgoi». 14Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!».
15Atëherë Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga mëngjesi deri në kohën e caktuar, dhe prej popullit ranë shtatëdhjetë mijë vetë, nga Dani në Bershebë. 16Engjëlli shtriu dorën kundër Jerusalemit për ta shkatërruar, por Zoti hoqi dorë nga e keqja, prandaj i tha engjëllit shkatërrimtar: «Mjaft tani! Ndale dorën!». Atëherë engjëlli u ndal te lëmi i Aranjah Jebusitit. 17Davidi, kur pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: «Ja, unë kam mëkatuar dhe jam fajtor, por këto dele çfarë kanë bërë? Le të më godasë dora jote mua dhe shtëpinë e tim eti».
Kushtimi i altarit
18Atë ditë Gadi shkoi te Davidi e i tha: «Shko e ngriji Zotit një altar në lëmin e Aranjah Jebusitit». 19Davidi shkoi, sipas fjalës që kishte thënë Gadi me urdhër të Zotit. 20Aranjahu vështroi dhe pa mbretin dhe shërbëtorët e tij që po kalonin. Atëherë doli dhe u përkul para mbretit me fytyrë përdhe. 21Aranjahu i pyeti: «Përse kanë ardhur imzot mbreti dhe shërbëtorët e tij?». Davidi i tha: «Për të blerë prej teje vendin e lëmit, për t'i ndërtuar Zotit një altar, që të largohet lëngata nga populli». 22Aranjahu i tha Davidit: «Merre e le të bëjë imzot mbreti çfarë të dojë. Ja edhe mëzetërit për flitë e shkrumbimit, sharra dhe zgjedha e mëzetërve për drutë. 23Të gjitha këto Aranjahu ia jep mbretit, o mbret!». Mandej Aranjahu i tha mbretit: «Zoti, Perëndia yt, të pranoftë!».
24Por mbreti David i tha Aranjahut: «Jo, dua ta blej prej teje me çmim të plotë. Nuk do t'i kushtoj Zotit, Perëndisë tim, fli shkrumbimi falas». Kështu, Davidi e bleu lëmin. 25Pastaj Davidi i ndërtoi Zotit një altar në atë vend dhe kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi. Zoti iu përgjigj përgjërimit për vendin dhe murtaja u largua prej Izraelit.

Currently Selected:

2 Samuelit 24: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy