YouVersion Logo
Search Icon

2 Samuelit 13

13
Përdhunimi i Tamarës
1Absalomi, biri i Davidit, kishte një motër të bukur që quhej Tamara. Pas njëfarë kohe, Amnoni, biri i Davidit, ra në dashuri me Tamarën. 2E mundonin aq shumë ndjenjat për Tamarën, saqë u sëmur. Tamara ishte e virgjër, prandaj Amnonit i dukej e pamundur t'i bënte gjë. 3Amnoni kishte një shok që quhej Jonadab. Ai ishte biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. Jonadabi ishte shumë dinak. 4Ai i tha Amnonit: «Pse po dobësohesh dita-ditës, o biri i mbretit? Përse nuk më tregon?». Amnoni iu përgjigj: «Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e Absalomit, vëllait tim». 5Jehonadabi i tha: «Shtrihu në shtrat dhe hiqu si i sëmurë. Kur të vijë yt atë për të të parë, thuaji: “Le të vijë ime motër, Tamara, të më japë të ha. Ta përgatitë ushqimin para syve të mi, që ta shoh e të ha prej dorës së saj”».
6Amnoni zuri shtratin dhe u hoq si i sëmurë. Kur erdhi mbreti për ta parë, Amnoni i tha: «Le të vijë ime motër, Tamara, të lutem, e të bëjë dy kuleç para syve të mi, që t'i ha nga dora e saj». 7Davidi i çoi fjalë Tamarës në shtëpi e i tha: «Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnonit dhe bëji të hajë». 8Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të vet, Amnonit, që ishte shtrirë në shtrat. Ajo mori miell, ngjeshi brumin, bëri kuleçtë para syve të tij dhe i poqi. 9Pastaj mori tiganin dhe i zbrazi kuleçtë para tij, por Amnoni nuk donte të hante. Ai urdhëroi të dilnin jashtë të gjithë dhe ata dolën. 10Amnoni i tha Tamarës: «Ma sill ushqimin në dhomë, që të ha nga dora jote». Tamara i mori kuleçtë që kishte gatuar dhe ia solli në dhomë Amnonit, të vëllait. 11Kur i solli ushqimin, Amnoni e kapi e i tha: «Eja, shtrihu me mua, motra ime». 12Tamara iu përgjigj: «Mos, o vëlla, mos më çndero. Kjo nuk bëhet në Izrael. Mos e bëj këtë poshtërsi. 13Ku ta çoj unë turpin? Por edhe ti do të jesh njeri i poshtër në Izrael. Fol me mbretin dhe ai ka për të më dhënë te ti». 14Por ai s'deshi ta dëgjonte. E kapi dhe ra në shtrat me të, sepse ishte më i fortë.
15Atëherë e pushtoi një urrejtje e madhe për të dhe urrejtja që ndjeu ishte shumë më e madhe se dashuria që kishte ndier më parë. Prandaj Amnoni i tha: «Ngrihu e ik». 16Ajo i tha: «Mos e bëj këtë të keqe më të madhe se ajo që bëre me mua e mos më dëbo». Por ai s'deshi ta dëgjonte. 17Thirri një nga shërbëtorët, që i shërbente, e i tha: «Nxirre jashtë këtë grua dhe mbyll derën pas saj». 18Tamara kishte veshur një rrobë të gjatë me mëngë, sepse kështu visheshin bijat virgjëresha të mbretit. Shërbëtori e nxori jashtë Tamarën dhe mbylli derën pas saj. 19Atëherë Tamara mori hi dhe e hodhi mbi kokë, shqeu mëngët, vuri duart në kokë dhe iku duke bërtitur.
20Absalomi, i vëllai, e pyeti: «A mos ra në shtrat me ty Amnoni, yt vëlla? Tani për tani, hesht, o motra ime, dhe mos të të shqetësohet zemra për këtë punë». Tamara ndenji e pikëlluar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. 21Kur i mori vesh këto ngjarje, mbreti David u zemërua shumë. 22Absalomi nuk i tha asnjë fjalë Amnonit, as për mirë, as për keq, por e urrente, sepse i kishte çnderuar të motrën, Tamarën.
Absalomi vret Amnonin
23Dy vjet më vonë, kur i kishte qethësit e deleve në Baal Hacor, pranë Efraimit, Absalomi ftoi të gjithë bijtë e mbretit. 24Ai shkoi te mbreti e i tha: «Qethësit e deleve kanë ardhur te shërbëtori yt. I lutem edhe mbretit të urdhërojë në shtëpinë e shërbëtorit të tij, bashkë me shërbëtorët e vet». 25Mbreti iu përgjigj Absalomit: «Jo, biri im, mos na detyro të gjithëve të vijmë e të të bëhemi barrë». Absalomi nguli këmbë, por mbreti nuk deshi të shkonte, megjithatë e bekoi. 26Absalomi i tha: «Nëse jo, atëherë le të vijë me ne Amnoni, vëllai im». Mbreti e pyeti: «Përse të vijë me ty?». 27Absalomi iu përgjërua, prandaj mbreti i la të shkonin Amnonin dhe të gjithë bijtë e mbretit. 28Atëherë Absalomi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij: «Kur ta shihni Amnonin të dehur me verë e unë t'ju jap urdhrin për ta goditur, vriteni e mos kini frikë, sepse urdhrin jua kam dhënë unë. Jini të fortë e bëhuni trima». 29Shërbëtorët e Absalomit vepruan me Amnonin siç i kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë të gjithë bijtë e mbretit u hipën mushkave dhe ikën.
30Teksa ishin ende udhës, Davidit i erdhi ky lajm: «Absalomi i vrau të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjë prej tyre». 31Atëherë mbreti u ngrit, shqeu rrobat dhe u shtri përtokë. Edhe të gjithë shërbëtorët që e rrethonin i shqyen rrobat. 32Jonadabi, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit, tha: «Të mos mendojë imzot se janë vrarë të gjithë bijtë e rinj të mbretit. Është vrarë vetëm Amnoni. Absalomi e kishte vendosur ta vriste që ditën kur Amnoni çnderoi Tamarën, motrën e tij. 33Prandaj, imzot të mos e marrë përnjëmend lajmin se janë vrarë të gjithë bijtë e mbretit, sepse ka vdekur vetëm Amnoni».
34Absalomi mori arratinë. Ndërkohë, djaloshi që bënte roje ngriti sytë dhe pa se po vinte një turmë e madhe njerëzish nga rruga mbrapa tij, anës malit. 35Atëherë Jonadabi i tha mbretit: «Ja, po vijnë bijtë e mbretit. Ka ndodhur siç tha shërbëtori yt». 36Sa mbaroi fjalën, ia behën bijtë e mbretit. Ata vajtonin me të madhe. Edhe mbreti me shërbëtorët e tij vunë kujën dhe vajtuan.
37Absalomi iku dhe shkoi te Talmai, biri i Amihudit, mbreti i Geshurit. Davidi e vajtonte të birin çdo ditë. 38Kështu, Absalomi iku në Geshur dhe qëndroi atje tre vjet. 39Kur iu lehtësua dhimbja për vdekjen e Amnonit, mbreti David deshi të shkonte e ta takonte Absalomin.

Currently Selected:

2 Samuelit 13: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy