YouVersion Logo
Search Icon

2 Samuelit 12

12
Natani dhe Davidi
1 Zoti dërgoi Natanin te Davidi. Ai shkoi te Davidi e i tha: «Na ishin njëherë dy veta që jetonin në një qytet. Njëri ishte i pasur e tjetri i varfër. 2I pasuri kishte shumë dhen e qe, 3ndërsa i varfri s'kishte asgjë, përveç një qengji të vogël që e kishte blerë. E ushqeu dhe e rriti bashkë me fëmijët e vet. I jepte të hante prej bukës së vet e të pinte prej gotës së vet. E mbante në krah dhe e kishte si fëmijë. 4Një herë, te pasaniku erdhi një shtegtar. Ai nuk i shtroi të hante as delen e as lopën e vet, por mori qengjin e të varfrit dhe e gatoi për bujtësin».
5Davidi u zemërua fort e i tha Natanit: «Pasha Zotin, ky njeri duhet vrarë për këtë që bëri! 6Për çfarë bëri dhe meqë u tregua i pashpirt, katërfish do ta paguajë qengjin».
7Natani i tha Davidit: «Ky njeri je ti! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: unë të vajosa mbret mbi Izraelin, të shpëtova nga dora e Saulit, 8të dhashë shtëpinë dhe gratë e zotërisë tënd, të dhashë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës. Po të mos mjaftonin këto do të të kisha dhënë edhe më shumë. 9Pse e përçmove fjalën e Zotit dhe bërë keq në sytë e tij? E godite me shpatë Urjah Hititin dhe të shoqen ia more për grua. Ti e vrave me shpatën e amonitëve. 10Prandaj kurrë nuk do të hiqet shpata prej shtëpisë sate, se më përçmove dhe more për grua gruan e Urjah Hititit. 11Kështu thotë Zoti: ja, do të të zërë e keqja e shtëpisë sate. Do të t'i marr gratë para syve, do t'ia jap të afërtit tënd e ai do të shkojë me to ditën për diell. 12Ti veprove fshehurazi, ndërsa unë do ta bëj të gjithë këtë ditën për diell e para gjithë Izraelit». 13Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër Zotit». Natani i tha Davidit: «Zoti ta ka falur mëkatin, prandaj nuk do të vdesësh, 14por ngaqë me këtë i nxite armiqtë e Zotit, djali që ka për të lindur do të vdesë». 15Pastaj Natani u kthye në shtëpinë e vet. Zoti e goditi djalin, që gruaja e Urjahut i lindi Davidit, dhe ai u sëmur.
Vdekja e djalit
16Davidi iu përgjërua Perëndisë për djalin. Agjëroi dhe netët i kaloi shtrirë përdhe. 17Pleqtë e shtëpisë i qëndronin pranë dhe i kërkonin të ngrihej nga toka, por ai nuk pranoi dhe nuk hëngri me ta. 18Pas shtatë ditësh fëmija vdiq. Shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i tregonin se fëmija kishte vdekur dhe thoshin: «Kur fëmija ishte ende gjallë, i folëm e nuk na dëgjoi. Si t'i themi që fëmija ka vdekur? Ai do të bëjë edhe më keq». 19Davidi pa që shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin dhe e kuptoi që fëmija kishte vdekur. Atëherë u tha shërbëtorëve: «A vdiq fëmija?». Ata i thanë: «Vdiq!».
20Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj dhe ndërroi petkat. Shkoi në shtëpinë e Zotit dhe u përkul me nderim. U kthye në shtëpi, kërkoi t'i shtronin për të ngrënë dhe hëngri. 21Shërbëtorët e pyetën: «Pse vepron kështu? Kur fëmija ishte ende gjallë, agjërove e vajtove. Tani që ka vdekur, ngrihesh e ha?». 22Ai u tha: «Për aq kohë sa ishte gjallë agjërova e vajtova se thashë: “Kush e di! Ndoshta Zoti do të ketë mëshirë për mua dhe do ta lërë djalin të jetojë”. 23Por tani që ka vdekur, përse të agjëroj? A mund ta kthej mbrapsht? Unë do të shkoj tek ai, e jo ai tek unë».
24Davidi e ngushëlloi Batshebën, gruan e vet. Fjeti me të dhe ajo i lindi një djalë që e quajti Solomon. Zoti e deshi 25dhe dërgoi fjalë përmes profetit Natan, që ta quanin Jedidjah, për hir të Zotit.
Pushtimi i Rabahut
26Ndërkohë Joabi sulmoi Rabahun e amonitëve dhe pushtoi qytetin mbretëror. 27Atëherë Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit e i tha: «Sulmova Rabahun dhe pushtova qytetin e ujërave. 28Mblidh popullin që ka mbetur dhe eja e sulmo qytetin, që ta pushtosh, përndryshe do ta pushtoj unë dhe do t'i vë emrin tim». 29Davidi mblodhi mbarë popullin dhe shkoi në Rabah. E sulmoi dhe e pushtoi. 30Ia hoqi kurorën nga koka mbretit të tyre. Ajo peshonte më shumë se tridhjetë kilogramë ar dhe kishte një gur të çmuar. Kurorën ia vunë në kokë Davidit. Ai mori nga ai qytet plaçkë shumë të madhe. 31Popullin që banonte aty e dëboi dhe e vuri të punonte me sharra, kazma e sëpata hekuri, që të bënte tulla. Davidi veproi njësoj me të gjitha qytetet e amonitëve. Pastaj u kthye në Jerusalem me mbarë popullin.

Currently Selected:

2 Samuelit 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy