2 Makabenjve 14
14
Dhimitri dhe Nikanori
1Pas tre vjetësh Juda mori vesh se Dhimitri, biri i Seleukut, kishte zbritur në portin e Tripolit me ushtri të fortë e me anije, 2e, pasi kishte vrarë Antiokun e mëkëmbësin e tij, Lisinë, kishte pushtuar vendin.
3Alkimi, që kishte qenë më parë kryeprift, por që ishte përdhosur me dashje kur u ndalohej të përziheshin, kuptoi se nuk kishte shpëtim për të, as mundësi t'i afrohej altarit të shenjtë, 4prandaj u takua me mbretin Dhimitër në vitin njëqind e pesëdhjetë e një, i dha kurorën e artë, një degë palme, një degë ulliri dhe dhuratat e zakonshme prej tempullit. Atë ditë ndenji i qetë. 5Por i doli rasti ta vijonte synimin e vet, kur Dhimitri e ftoi në mbledhjen e këshillit dhe u pyet se cilat ishin qëndrimet dhe synimet e judenjve. U përgjigj kështu: 6«Ka disa judenj që quhen hasidimë. Ata kanë në krye Judë Makabeun, mbajnë ndezur luftrat e kryengritjet dhe nuk e lënë të qetë mbretërinë. 7Prandaj, pasi më hoqën lavdinë e mëparshme, domethënë kryepriftërinë, erdha këtu, 8së pari, sepse shqetësohem me të vërtetë për të mirën e mbretit, së dyti, sepse mendoj për të mirën e qytetarëve. Për shkak të marrëzisë së atyre që përmenda më parë, të gjithë kombin e ka zënë fatkeqësia. 9Meqenëse je në dijeni për të gjitha këto, o mbret, kujdesu për vendin dhe për kombin tonë të shtypur nga çdo anë, me mirëdashjen që tregon ndaj gjithkujt. 10Sa të jetë gjallë Juda, nuk do të ketë paqe në qeverisje».
11Kur Alkimi i mbaroi këto fjalë, miqtë e tjerë të mbretit, që ishin në armiqësi me Judën, e ndezën edhe më keq Dhimitrin. 12Ai zgjodhi menjëherë Nikanorin, që ishte prijësi i elefantëve, e caktoi kryeushtarak të Judesë dhe e dërgoi atje. 13I dha urdhër ta vriste Judën, ushtarët e tjerë t'i shpërndante dhe Alkimin ta caktonte kryeprift të tempullit të madh. 14Kombet e ndryshme anembanë Judesë, që më parë ishin larguar për t'u ruajtur nga Juda, u bashkuan me Nikanorin, sepse mendonin se fatkeqësitë dhe mjerimet e judenjve do të ishin begati për ta.
15Pasi dëgjuan për ardhjen e Nikanorit dhe sulmin e kombeve, hodhën pluhur në kokë dhe iu lutën atij që i kishte caktuar si popullin e vet të amshuar, dhe e mbështet gjithmonë, duke iu shfaqur. 16Me urdhër të prijësit të tyre u nisën menjëherë dhe u përballën me armikun pranë qytetit Desau. 17Simoni, i vëllai i Judës, ishte përplasur me Nikanorin, por ishte tërhequr shpejt për shkak të kundërsulmit të armikut. 18Mirëpo Nikanori, kur dëgjoi për bëmat burrërore të Judës dhe njerëzve të tij dhe për guximin që kishin për të mbrojtur atdheun, ngurroi ta zgjidhte çështjen me luftë. 19Prandaj dërgoi Poseidonin, Teodotin dhe Matatinë që t'i shtrinin njëri-tjetrit dorën e djathtë.
20Pasi u shqyrtuan kushtet e marrëveshjes, prijësi njoftoi popullin. Ranë të gjithë në një mendje dhe lidhën marrëveshje. 21Caktuan ditën kur do të takoheshin prijësit dhe nga secila anë erdhi nga një karrocë. Kishin përgatitur edhe nga një ndenjëse nderi për çdonjërin. 22Juda vendosi burra të armatosur në pikat kyçe, të gatshëm për çdo rast, në rast se armiku bënte ndonjë dredhi të papritur. Gjatë takimit prijësit ranë në një mendje.
23Nikanori shkoi në Jerusalem pa bërë asnjë të keqe. Turmat e kombeve që ishin mbledhur rreth tij i ktheu në shtëpitë e veta. 24Mbajti me vete Judën, pasi ai njeri e kishte marrë për zemër. 25Nikanori e nxiti Judën të martohej dhe të bënte fëmijë. Ai u martua, u mblodh në shtëpi dhe jetoi i qetë.
26Kur Alkimi pa marrëdhënien e mirë mes Nikanorit dhe Judës, mori marrëveshjen që këta kishin nënshkruar dhe shkoi te Dhimitri, të cilit i tha se Nikanori po vepronte në dëm të mbretërisë dhe se kishte caktuar Judën pasardhës të tij. 27Mbreti u mbush me zemërim dhe, i acaruar nga shpifjet e Alkimit të lig, i shkroi Nikanorit dhe i tha se ishte shumë i pakënaqur nga marrëveshja që kishte nënshkruar me Judën. I dha edhe urdhrin t'ia çonte sa më parë në Antioki të lidhur me vargorë.
28Kur Nikanorit i erdhi letra, u shqetësua dhe u trondit, pasi nuk dëshironte ta prishte marrëveshjen me një njeri që nuk kishte bërë asgjë të padrejtë. 29T'i kundërvihej mbretit ishte e pamundur, prandaj po priste që ta kryente urdhrin me dredhi. 30Makabeu e vuri re se Nikanori i sillej me ashpërsi dhe se e priste më me egërsi se zakonisht. Kuptoi se kjo ashpërsi nuk vinte prej qëllimeve më të mira. Atëherë mblodhi jo pak burra rreth vetes dhe u fsheh nga Nikanori.
31Kur Nikanori vuri re se Juda ia kalonte në zgjuarsi, shkoi te tempulli madhështor dhe i shenjtë, ku priftërinjtë po kushtonin flitë e zakonshme, dhe i urdhëroi t'i dorëzonin Judën. 32Ata iu betuan se nuk e dinin ku ndodhej i kërkuari, 33por ai shtriu dorën e djathtë drejt tempullit dhe u betua: «Po të mos ma jepni Judën të lidhur, do ta rrafshoj këtë tempull të shenjtë të Perëndisë, do ta shkatërroj altarin dhe, mbi rrënoja, do t'i ndërtoj një tempull Dionisit». 34Tha këto dhe u largua. Priftërinjtë zgjatën duart drejt qiellit dhe iu lutën mbrojtësit të përhershëm të kombit tonë me këto fjalë: 35«Ti, o Zot i të gjithëve, që nuk ke nevojë për askënd, deshe të ndërtoje tempullin për të banuar mes nesh. 36Tani, o i shenjtë, Zot i çdo shenjtërie, ruaje të paprekur në amshim këtë shtëpi, që para pak kohësh u pastrua».
37Raziu, njëri prej pleqve të Jerusalemit, u padit te Nikanori, se ishte burrë që i donte bashkëqytetarët, se gëzonte emër të mirë dhe se e thërrisnin atë të judenjve për shkak të dashamirësisë të tij. 38Që më herët, në kohën kur judenjtë u përzien me kombet e tjera, ishte paditur se ruante judaizmin dhe ishte dhënë me mish e shpirt për judaizmin. 39Për të shfaqur urrejtjen për judenjtë, Nikanori dërgoi mbi pesëqind ushtarë ta kapnin, 40duke menduar se kështu do t'i tronditte. 41Kur ushtarët po merrnin kullën dhe po përpiqeshin të hapnin portën duke i vënë flakën, Raziu pa se ishte rrethuar dhe u vetëvra duke u hedhur mbi shpatën e vet. 42Zgjodhi të vdiste fisnikërisht, në vend që të binte në duart e mëkatarëve dhe të pësonte një fyerje që nuk i kishte hije sërës së tij. 43Megjithatë, prej nxitimit, nuk mori shënjestër mirë dhe turma po hynte brenda dyerve, prandaj u hodh trimërisht mbi turmë nga muret. 44Ata u tërhoqën menjëherë, prandaj u hap një vend dhe ai ra në vendin e zbrazur. 45Kur ishte ende gjallë e i zemëruar, u çua dhe, megjithëse i rridhte gjaku dhe plagët i kishte të rënda, çau përmes turmës së ushtarëve dhe u ngjit në një shkëmb të thepisur. 46Kur mbeti pa gjak, kapi zorrët e veta, i këputi me të dyja duart dhe i flaku mbi ushtarët, duke iu lutur sunduesit të jetës dhe të frymës që t'ia kthente përsëri. Kështu vdiq.
Currently Selected:
2 Makabenjve 14: AL1
Highlight
Share
Copy

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020