Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

A Është Gëzimi Ngjitës?Shembull

A Është Gëzimi Ngjitës?

DITA 12 NGA 13

A ka ndonjë sekret për të pasur një jetë të kënaqur?

Sepse, po pati, do e fusim në shishe dhe do dalim ta shesim! E sigurt që do bëhesh milioner që në ditën e parë duke shitur këtë produkt që e duan të gjithë.

Çfarë është të jesh i kënaqur? A është të rrish pa punuar gjithë ditën? "U kënaqa sot, kam qenë pushim gjithë ditën, gjithë javën, gjithë jetën?" A është kënaqësi të përtosh, të flesh gjumë?

Kënaqësia është: NUK VAREM NGA RRETHANAT!

Gëzimi im nuk varet nga rrethanat e jashtme, se ku jam ose ku mund të jem. Lumturia dhe gëzimi im janë të brendshëm.

Por si mund ta kesh këtë lloj kënaqësie?

Pali thotë që është diçka që mësohet. Nuk është diçka që e merr menjëherë, në një përjetim të vetëm. Nuk është "Bam, e mora!"

E gjithë jeta është një shkollë që na mëson si të jemi të kënaqur. Puna është se disa nuk e përfundojnë kurrë këtë shkollë, nuk arrijnë të diplomohen… deri sa vdesin.Dhe ashtu vdesin të pakënaqur, të pangopur nga jeta, të palumtur.

Ne nuk duam të jemi nga kjo kategori, sepse, meqë mësohet, le ta mësojmë! E kemi Shkrimin, plot me parime jete për përditshmërinë. Një manual jete!

Pali na jep katër gjëra, katër mësime se si të kesh një jetë të kënaqur, të ngopur, të plotësuar. Katër mësime po i quaj, sepse duam t’i mësojmë, meqë Pali i ka mësuar. Sot do të shohim 2 mësimet e para:

1. Mëso si t’i shmangësh krahasimet.

Kjo është pak e vështirë për ne si shqiptarë. Sepse, “Unë prandaj po eci para, po bëj gjëra “për inat të komshiut,” që t’i kem më të mira se të tijat.”

POR, sa herë që krahason veten me të tjerët, do e gjesh veten të pakënaqur.

Filipianëve 4:11 (ALBB) “Unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam” (në çdo lloj rrethane).

Kjo ndodh kur nuk e krahason veten me të tjerët, sepse gjithmonë do të gjesh njerëz që kanë më shumë se ty: një rrogë më të madhe, një telefon më të ri, një shtëpi më të madhe, një makinë më të re, rrobat më të fundit… Ata mund të kenë mundësi më të mëdha se ti.

Por, s'ka lidhje fare çfarë kanë ose nuk kanë ata me kënaqësinë tënde. Kënaqësia jote nuk varet nga rrethanat e jashtme.

Le të drejtojmë sytë para; gëzimin na e sjellin gjërat që nuk shihen, gjërat qiellore. Shqetësimet që shikojmë janë të përkohshme, kurse gëzimi që do të vijë do të jetë i përjetshëm. Kështu që aty i kemi sytë.

Njerëzit mendojnë:

1. Që të jem i kënaqur, duhet të kem atë që kanë ata.

Kështu, je në garë gjithmonë me ata që ke si modele. “Jo, nuk i kam model.” Në fakt i ke, por askush nuk e di me të vërtetë.

2. Që të jem i kënaqur, duhet të më kenë qejf të gjithë.

Më fal, kjo nuk arrihet, por përsëri ka njerëz që harxhojnë kaq shumë kohë për t’i pëlqyer të tjerët. Nuk mund të ecësh përpara, sepse çfarëdo që të bësh, do të jetë dikush që s’do të jetë dakord me ty, që s’do t’i pëlqejë.

As Jezusi nuk i kënaq dot të gjithë.

Të them një gjë të vështirë: vetëm një i marrë do të mundohej të bënte diçka që as Jezusi vetë s’e bëri dot.

Sepse, nuk të nevojitet miratimi i të tjerëve për të qenë i kënaqur, për të qenë i gëzuar, për të qenë i lumtur.

3. Kur të kem më shumë, do të jem më i kënaqur.

Ide e mirë! Sa herë e pyet një person shumë të pasur: “Sa të duhen që të jesh më i kënaqur?” ai përgjigjet: “Edhe pak më shumë.”

E di çfarë? Sa herë që rritet rroga, rriten edhe shpenzimet.

Të gjitha gjërat janë të përkohshme. Na janë dhënë borxh, nuk i kemi tonat; asgjë nuk është e përjetshme. I përdorim përsa kohë jemi në tokë, si mjete për të na ndihmuar ndërsa jetojmë këtu. I përdorim për lavdinë e Perëndisë, por nuk janë gjëra që zgjasin përjetësisht. Mos u lidh shumë me gjërat; janë mjete, nuk janë qëllim jete.

Pra, mësimi i parë: Nëse e krahason veten, kjo gjë do të ta vjedhë gëzimin.

Sepse, shiko, ose do të gjesh njerëz që janë më të dobët se ti ose kanë më pak se ti, dhe do të krenohesh: "Ja kalova, jam më mirë se ai/ajo." Krenaria vjen para rënies.

Ose do të gjesh njerëz që kanë më shumë se ti, dhe do ndihesh inferior.

Krahasimi me të tjerët është një problem gjithmonë.

Por, ti e krahason veten me synimin që ke, me veten tënde: A po arrij atë që po synoj vetë? A po bëhem më i mirë, më i zoti, më e zonja, më i ngjashëm me Krishtin, më afër sot se ç’isha dje?

Ndryshe, krahasimi me të tjerët do ta vjedhë gëzimin.

2. Mëso si t’i përshtatesh ndryshimit.

Jeta është plot me ulje-ngritje—emocionale, fizike, mendore, financiare. Në jetë, vetëm një gjë është e sigurt: ndryshimi. Ndryshimi është gjithmonë i sigurt; nuk i shmangesh dot. Një gjë që nuk ndryshon kurrë është se do të ketë gjithmonë ndryshime.

Si e përballon ndryshimin ti? Si e përballon kur ndodh një tërmet, një lëkundje në familje, shkollë, punë, ose në kishë? A friksohesh, a bëhesh më nervoz, a të prishet terezia?

Pali thotë se sekreti për të mësuar si të jesh i kënaqur në jetë është aftësia për t’u përshtatur në rrethana të ndryshme, sepse gjërat ndryshojnë.

Duhet t’i japësh dorën përshtatjes. Sa më lehtë të përshtatesh, aq më e lehtë është të jesh i gëzuar. Ndryshimet do të ndodhin, të pëlqen ty apo jo.

Çfarë i mësuan përvojat Palit? Kam mësuar që të mos varem nga rrethanat.

Ky është sekreti i kënaqësisë: Kur nuk varem nga rrethanat, sepse ato ndryshojnë. Jam mësuar të kënaqem. Rrethanat janë poshtë meje, jo mbi mua, duke më kontrolluar.

Lutje: “Zot, më ndihmo të mos e krahasoj veten me të tjerët, por të gjej kënaqësinë time te Ti. Më jep hir të përshtatem me çdo ndryshim, duke qëndruar i qëndrueshëm në besim dhe në gëzimin që vjen prej Teje.”

Rreth këtij plani

A Është Gëzimi Ngjitës?

Zbulo si të kesh gëzim që zgjat, pavarësisht rrethanave! Ky plan të ndihmon të shohësh njerëzit me një sy ndryshe dhe të gjesh të mirën në çdo marrëdhënie. Bashkohu që të mësosh si të gëzohesh çdo ditë me ata që ke pranë!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en