Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Një Fillim me Qëllim!Shembull

Një Fillim me Qëllim!

DITA 3 NGA 5

Fuqia e Fjalës!

Çfarë ndryshimesh të vogla duhet të bëjmë në fjalët që themi që të kemi një ndryshim të madh në jetën tonë? Pse janë fjalët të rëndësishme?!

Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi. Dhe Fjala u bë mish dhe banoi në mesin tonë. Kur Perëndia krijoi botën me anë të Fjalës, foli dhe bota u krijua; fjalët tona janë shumë të fuqishme.

Siç tha Solomoni te Fjalët e urta 18:21'Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.'

Çfarë pushteti, çfarë fuqie ka gjuha, siç thotë vargu, mbi vdekjen dhe mbi jetën?

Me fjalë të tjera, fjalët që themi janë ose fjalë që sjellin jetë, ose fjalë që e thajnë jetën.

Jakobit 3:3-5 'Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre. Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri. Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç'pyll të madh djeg!'

Me fjalë të tjera, fjalët e thëna siç duhet mund të motivojnë një turmë të madhe për të bërë gjëra të mira dhe për të sjellë ndryshim të madh, OSE, me të njëjtën gjuhë dhe këtë gjymtyrë të vogël, nëse fjalët i vendos ndryshe, mund të nxitësh dhunë dhe shkatërrim.

Prandaj fundi i vargut thotë: “Ja, një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg!”

Gjuha jonë ka fuqi jete ose fuqi vdekje. Ti mund të thuash fjalë që japin jetë ose fjalë që e thajnë jetën.

Për shembull, trego një martesë që po kalon vështirësi dhe mund të thuash se ka shumë mundësi që fjalët që i thonë njëri-tjetrit janë fjalë që e thajnë jetën. Trego një martesë të mirë dhe ka shumë mundësi që ata i thonë njëri-tjetrit fjalë jetë-dhënëse, fjalë pozitive dhe inkurajuese.

Më thuaj për një shok ose shoqe me të cilët rri më shpesh dhe pi kafe më shpesh, dhe ka shumë mundësi që ti i thua ose ai të thotë fjalë jetë-dhënëse, fjalë pozitive dhe inkurajuese. Më thuaj për një shok ose shoqe që nuk do të doje ta shihje më, dhe mund të them se ka shumë mundësi që ai person thotë vetëm fjalë negative, fjalë që e thajnë jetën, fjalë zhgënjyese, dhe sa herë që e shikon, do që ta shmangësh.

Fjalët e urta 15:4 'Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.'

Fjalët tona kanë pushtet: ato mund të japin jetë ose të shterojnë jetën.

Nëse nuk ke diçka të vlefshme për të thënë, mos thuaj asgjë. Nëse ajo që do të thuash nuk është diçka e vlefshme, mos e thuaj.

Ku është kjo në Bibël?!

Efesianëve 4:29 'Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t'u japë hir atyre që dëgjojnë.'

Sa fjalë thotë vargu? Asnjë. E di çfarë fjale të thuash? Ajo që është e mirë, për ndërtim, që është e vlefshme, që ndërton atë person që po të dëgjon.

Fjalët e urta 16:24 'Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.'

Bëje si parim jete: sa herë që mendon diçka të mirë, thuaje. Jo vetëm të tjerëve, por edhe vetes tende. A ka ndonjë rast në Bibël kur dikush inkurajonte veten?

Një gjë e bukur që thuhet për këtë është nga jeta e Davidit.

1 i Samuelit 30:6b '…por Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij.'

Davidi e inkurajoi dhe e forcoi veten në Zotin, Perëndinë e tij.

Sot dua që të kemi një thënie që t’ia kujtosh vetes dhe ta thuash herë pas here. Një thënie që do të jetë e jotja dhe që mund të sjellë ndryshim në gjërat që bën.

"Unë jam i fortë në Ty, Zot."

Nëse dëshiron të ndryshosh jetën, ndrysho fjalët që thua. Sepse fjalët janë të fuqishme. Kanë pushtetin e jetës dhe vdekjes.

Lutje: Unë jam i fortë në Ty Zot. Besoj se një ndryshim i vogël në fjalët që them do të sjellë një ndryshim të madh në jetën që po bëj. Amen.

Rreth këtij plani

Një Fillim me Qëllim!

E di që shumë herë ke ndjerë që vitet kalojnë pa ndonjë ndryshim të madh. Një vit i ri vjen, dhe ne nisim me ëndrra të mëdha, por diku rrugës, e lëmë veten të ndikohemi nga rutina e përditshme. Por mendo për një çast: Po nëse ky vit do të ishte ndryshe? Të ftojmë të bashkohesh me ne për leximin e këtij plani që do të ndihmojë për të pasur Një Fillim Me Qëllim!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al

Plane të ngjashme