Noel: Krishtlindja Është Për Të GjithëShembull

Bir i Premtimit, Imazhi i Jezusit
Nga Danny Saavedra
“Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën”—Zanafilla 22:8
A të kanë kërkuar ndonjëherë të bësh diçka të çmendur; diçka kaq të marrë që nuk e kishe menduar kurrë se do mund ta bëje? Nëse të ka ndodhur, nuk je i vetëm. Te Zanafilla 22, Perëndia i dha një urdhër të çuditshëm Abrahamit.
Perëndia i kërkoi Abrahamit që të sakrifikonte djalin e tij. Prit, çfarë? E ke fjalën për djalin e premtuar? Ai nga i cili duhej të ndërtohej një komb i madh? Po, ai. Perëndia tha: “Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm Isakun, atë që ti do … Sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj ...”(Zanafilla 22:2).
Kjo duhet të ketë qenë një dhimbje pikëlluese, diçka e papërshkrueshme për Abrahamin. A e imagjinon dot të të kërkohet të sakrifikosh atë që ke më të shtrenjtë? A do të ishe i bindur si Noe apo do të vrapoje në drejtim të kundërt si Jona? Mendoje pak se sa e paarsyeshme dhe e çmendur dukej kërkesa e Zotit. Isaku ishte djali i dashur i Abrahamit dhe e ardhmja e besëlidhjes së Zotit varej prej tij. Isaku ishte një mrekulli, dhuratë e Perëndisë në përgjigje të besimit të Abrahamit dhe Sahrës.
Por Abrahami e dëgjoi Perëndinë dhe menjëherë iu bind Atij me besim. Ndonjëherë në jetën tonë, do të ballafaqohemi me atë që duket se është një zgjedhje e pamundur, e vështirë … një zgjedhje që mund të mos e kuptojmë. Por kur e kuptojmë karakterin e Perëndisë, kur e kuptojmë dashurinë e Tij për ne, kur e kuptojmë se vullneti i Tij është gjithmonë për të mirën tonë dhe lavdinë e Tij, mund t'i bindemi besnikërisht Atij sepse e dimë se Ai punon gjithçka për të mirën e atyre që e duan Atë dhe janë thirrur sipas qëllimit të Tij. (Romakëve 8:28).
E kupton, Abrahami e dinte që vullneti i Zotit nuk do të shkonte kurrë kundër premtimit të Tij, kështu që ky baba besnik u mbajt tek premtimi që ishte, “Sepse nga Isaku do të dalin pasardhës që do të mbajnë emrin tënd” (Zanafilla 21:12). Abrahami besonte se edhe sikur Zoti ta linte të flijonte djalin e tij, që Ai të mund të ringjallte Isakun nga të vdekurit (Hebrenjte 11:17-19). Në këtë ne shohim natyrën e vërtetë të besimit. Nuk kërkon shpjegime: mbështetet në premtime. Kjo është arsyeja pse Abrahami ishte në gjendje t'u thotë shërbëtorëve të tij, "Ne do të adhurojmë dhe pastaj do të kthehemi sërisht tek ti " (Zanafilla 22:5, theksi i shtuar) dhe pse ai ishte në gjendje t'i thonte të birit, " Vetë Zoti do të sigurojë qengjin për sakrificën. . . ”(Zanafilla 22: 8, theks i shtuar).
Diçka që shpesh humbet në këtë histori është besimi dhe bindja e Isakut. Kështu që shpesh, kur përfytyrojmë këtë histori, e imagjinojmë Isakun si një fëmijë i vogël, një djalë i vogël. Por shumica e studiuesve biblikë besojnë se ai ishte midis 18 dhe 33 vjeç - në fund të fundit, ai duhej të ishte i madh dhe i fortë mjaftueshëm për të mbartur tërë drurin për sakrificën.
Çfarë krahasimi të mahnitshëm shohim këtu në historinë e Isakut rreth planit të Perëndisë për shpengimin përmes Jezusit, Qengji i Zotit që erdhi të bartë mëkatet e botës. Shumica e studiuesve besojnë se Isaku e dinte se çfarë po ndodhte. Ai mbajti drurin e sakrificës së tij dhe qëndroji në heshtje ndërkohë që u vendos në altar. Ai nuk protestoi kur Abrahami ngriti thikën, asgjë. Ai ia dha dorën babait të tij me dëshirë. . . ashtu si Jezusi! James E. Goodman e përshkruan Isakun si, "person i mirëinformuar dhe i vullnetshëm, i qetë në mos plotësisht i heshtur, dhe mbi të gjitha jo i vuajtur". Klementi i Aleksandrisë shkroi, "Ai (Jezusi) është Isaku. . .sepse ai ishte djali i Abrahamit si Krishti, Biri i Perëndisë dhe një sakrificë si Zoti. "
Si përfundim, Zoti e ndaloi dorën e Abrahamit dhe siguroi një sakrificë tjetër. "Kështu Abrahami e quajti atë vend: Zoti Do Të Sigurojë. Dhe sot e kësaj dite thuhet, ‘Në malin e Zotit do të sigurohet’ "(Zanafilla 22:14). Krishtlindja është një festë e momentit kur Perëndia siguroi Qengjin!
A po të kërkon Zoti diçka sot që në pamje të parë duket e marrë? A po të bën thirrje të bësh diçka që nuk e kupton, diçka përtej aftësive të tua për arsyetim? Ndoshta Ai po të sfidon të transferohesh në një qytet apo vend tjetër, të bësh një punë të re ose të fillosh një studim biblik në shtëpinë tënde ose në vendin e punës. Ndoshta Ai po të drejton të ndash ungjillin me fqinjin tënd, shokun e klasës ose bashkëpunëtorin tënd. Merr shembull nga Abrahami dhe nderoje atë thirrje! Kur lëviz me besim dhe bindje, Zoti është besnik që të të bekojë ty, të të mbështes përmes saj, dhe të bëj diçka vërtet të mrekullueshme tek ti dhe përmes teje!
Rreth këtij plani

Gjatë 12 ditëve të ardhshme, do të bëjmë një udhëtim nëpër historinë e Krishtlindjes dhe do të zbulojmë jo vetëm pse është historia më e madhe e thënë ndonjëherë, por edhe se si Krishtlindja është me të vërtetë për të gjithë!
More