Psalmet 89:38-52
Psalmet 89:38-52 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Por ti hodhe tej, edhe more mëni, edhe u zemërove kundrë të lyemit t’yt. Prishe dhiaten’ e shërbëtorit t’yt, ndyne kunorën’ e ati tue hedhunë për dhe. Rrënove gjithë gjerdhet’ e ati, prishe muret’ e ati. Rrëmbejën’ ate gjithë ata qi shkojën’ udhësë; u ba shpërnderim ndër fëqinjt e vet. Naltove të diathtën’ e anëmikut ati, gëzove gjith’ anëmiqt’ e ati: shtrembënove presën’ e shpates’ ati, edhe nuk’ i ndife ndë luftë, shove shkëlqimin’ e ati, edhe hodhe përdhe shkambin’ e ati. Shkurtove ditt’ e dielmënisë ati, u mbulove me turp. Selah. Deri kurë, o Zot? Ke me këthyem faqenë mbënjanë përherë? Ka me u diegunë zemërimi yt porsi ziarrm? Kuito, sa e shkurtën ashtë koha eme, mos i ke krijuem kot gjithë të bijt’ e njerëzëvet? Cilli njeri ka me rruem, e s’ka me pamë vdekë? Cilli ka me shpëtuem shpirtin e vet prei dorësë vorrit? Selah. Ku janë përdëllimet’ e tu të moçimitë, o Zot, qi bane be Davidit ndë të vërtetët tande? Kuito, o zot, shpërnderimin’ e shërbëtorëvet tu, qi bar ndë gjijt t’em prei shumë popujsh, me të cillinë shpërnderuen’ anëmiqt e tu, o Zot, me të cillinë shpërnderuenë gjurmat’ e të lyemit t’yt. I bekuem qoftë Zoti për gjithë jetënë. Amen, edhe amen.
Psalmet 89:38-52 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Do të qëndrojë në amshim si hëna, një dëshmi e besueshme ndër re». selah Por ti na hodhe tej e na përçmove, me të vajosurin tënd u zemërove. Besëlidhjen me shërbëtorin tënd e prishe, kurorën e tij në baltë e përdhose. Të gjitha muret ia rrënove, fortesat në gërmadha ia ktheve. E plaçkitin gjithë sa kalojnë asaj udhe, është bërë gazi i fqinjëve të vet. Lartësove të djathtën e kundërshtarëve të tij, të gjithë armiqtë e tij i bëre të gëzojnë. Tehun e shpatës së tij e çmprehe, në betejë nuk e përkrahe. I dhe fund madhështisë së tij, fronin e tij përtokë e hodhe. Ditët e rinisë ia shkurtove, me turp e mbulove. selah Deri kur, o ZOT? A do të fshihesh përgjithmonë? A do të djegë si flaka zemërimi yt? Kujtohu sa e shkurtër është jeta ime! A thua më kot i krijove gjithë bijtë e njerëzve? Kush do të jetojë pa e parë vdekjen? Kush do t'ia shpëtojë shpirtin prej skëterrës? selah Ku janë mirësitë e tua të dikurshme, o Zot, që ia premtove Davidit në besnikërinë tënde? Kujto, o Zot, poshtërimin e shërbëtorëve të tu, fyerjen e shumë popujve, që më rëndon në gji, poshtërimin që bëjnë armiqtë e tu, o ZOT, çnderimin që i bëjnë hapave të të vajosurit tënd.
Psalmet 89:38-52 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd. Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë. Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij. Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij. Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu. Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë. I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij. Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela) Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt? Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve? Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela) Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde? Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve, me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd. I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!