Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 89

89
1Himn i Etan Ezrahitit.
2Mirësive të tua, o Zot,
do t'u këndoj në amshim,
besnikërinë tënde do ta shpall
brez pas brezi me gojën time.
3Se thashë: «Mirësia jote mbetet në amshim,
në qiej i ka rrënjët besnikëria jote».
4E ti the: «Kam bërë një besëlidhje me të zgjedhurin tim,
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim.
5Pasardhësit e tu do t'i ruaj në amshim,
fronin tënd do ta forcoj brez pas brezi». selah
6Qiejt rrëfejnë mrekullitë e tua, o Zot,
kuvendi i të shenjtëve të tu, besnikërinë tënde.
7Kush ndër re krahasohet me Zotin?
Ndër bijtë e perëndive, kush është si Zoti?
8I tmerrshëm është Perëndia në kuvendin e të shenjtëve,
i madh e i frikshëm për ata që e rrethojnë.
9Kush është si ti, o Zot, Perëndi i ushtrive?
I fuqishëm je, o Zot,
me besnikërinë tënde rrethuar.
10Ti e sundon tërbimin e detit,
rrëmbimin e dallgëve të tij, ti e fashit.
11Ti e dërrmove Rahabën dhe e plandose,
armiqtë i shpërndave me krahun tënd të fuqishëm.
12Yti është qielli, jotja edhe toka,
ti e themelove botën dhe gjithçka në të.
13Veriun e jugun ti i krijove,
Tabori dhe Hermoni brohorasin për emrin tënd.
14Krahu yt është plot fuqi,
e fortë është dora jote,
e djathta jote lart është ngritur.
15Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd,
mirësia dhe besnikëria të rrinë kundruall.
16Lum ai popull, që di të brohorasë për ty,
në dritën e pranisë sate do të ecë, o Zot.
17Në emrin tënd do të ngazëllojnë tërë ditën,
në drejtësinë tënde do të lartësohen.
18Se ti je krenaria e fuqisë së tyre,
me hirin tënd bëhemi edhe më të fortë.
19Mbrojtja jonë vjen prej Zotit,
mbreti ynë prej të shenjtit të Izraelit.
20Në vegim fole dikur me besnikët e tu:
«I dhashë ndihmë një trimoshi», the,
«Lartësova një të zgjedhur prej popullit.
21Gjeta Davidin, shërbëtorin tim,
me vajin tim të shenjtë e vajosa.
22Dora ime do të jetë përherë me të
e krahu im do t'i japë forcë.
23Armiku nuk do ta mposhtë,
biri i paudhësisë nuk do t'i bëjë keq.
24Para syve të tij do t'i thyej armiqtë e tij,
ata që e urrejnë do t'i godas.
25Besnikëria e mirësia ime do të jenë me të,
në emrin tim do të bëhet gjithnjë e më i fortë.
26Dorën e tij do ta shtrij mbi det,
të djathtën e tij mbi lumenj.
27Ai do të më thërrasë: “Ati im je ti,
Perëndia im, shkëmbi i shpëtimit tim”,
28e unë do ta bëj të parëlindurin tim,
më të madhin ndër mbretërit e tokës.
29Mirësia ime do të jetë me të përgjithmonë,
besëlidhja me të do të mbetet e pathyeshme.
30Pasardhësit e tij do t'i ruaj në amshim,
fronin e tij për sa kohë të jenë qiejt.
31Nëse bijtë e tij e lënë ligjin tim
e sipas vendimeve të mia nuk ecin,
32nëse i shkelin rregullat e mia
e urdhërimet e mia nuk i mbajnë,
33me thupër do t'i ndëshkoj shkeljet e tyre,
paudhësinë e tyre me fshikullima,
34por nuk do të heq dorë nga mirësia për të
e besnikërinë time për të nuk do ta shkel.
35Besëlidhjen time nuk do ta thyej,
premtimin që bëra nuk do ta ndryshoj.
36Jam betuar një herë për shenjtërinë time,
se Davidin kurrë nuk do ta zhgënjej.
37Pasardhësit e tij do të mbeten në amshim,
sa dielli do të zgjatë froni i tij para meje.
38Do të qëndrojë në amshim si hëna,
një dëshmi e besueshme ndër re». selah
39Por ti na hodhe tej e na përçmove,
me të vajosurin tënd u zemërove.
40Besëlidhjen me shërbëtorin tënd e prishe,
kurorën e tij në baltë e përdhose.
41Të gjitha muret ia rrënove,
fortesat në gërmadha ia ktheve.
42E plaçkitin gjithë sa kalojnë asaj udhe,
është bërë gazi i fqinjëve të vet.
43Lartësove të djathtën e kundërshtarëve të tij,
të gjithë armiqtë e tij i bëre të gëzojnë.
44Tehun e shpatës së tij e çmprehe,
në betejë nuk e përkrahe.
45I dhe fund madhështisë së tij,
fronin e tij përtokë e hodhe.
46Ditët e rinisë ia shkurtove,
me turp e mbulove. selah
47Deri kur, o Zot?
A do të fshihesh përgjithmonë?
A do të djegë si flaka zemërimi yt?
48Kujtohu sa e shkurtër është jeta ime!
A thua më kot i krijove gjithë bijtë e njerëzve?
49Kush do të jetojë pa e parë vdekjen?
Kush do t'ia shpëtojë shpirtin prej skëterrës? selah
50Ku janë mirësitë e tua të dikurshme, o Zot,
që ia premtove Davidit në besnikërinë tënde?
51Kujto, o Zot, poshtërimin e shërbëtorëve të tu,
fyerjen e shumë popujve, që më rëndon në gji,
52poshtërimin që bëjnë armiqtë e tu, o Zot,
çnderimin që i bëjnë hapave të të vajosurit tënd.
53Bekuar qoftë Zoti në amshim!
Amen! Amen!

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 89: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr