Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 106:1-23

Psalmet 106:1-23 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Alleluia. Lavduroni Zotinë, se asht’ i mirë, se përdëllim’ i ati ashtë për gjithë jetënë. Cilli mundetë me folunë për të fuqishimet punët e Zotit, me bamë të ndigjohenë gjithë lavdurimet’ e ati? Lum ata qi ruejënë gjyq, edhe punojënë dreitëni mbë ç’do kohë. Kujto-më, o Zot, ndë pëlqim të popullit t’yt, vështro-më me shpëtiminë tand, qi të shof të mirën’ e të sgjedhunavet tu, qi të gëzohem ndë gëzim të kombit t’yt, qi të mburrem bashkë me trashëgiminë tand. Fëjyem bashkë me atenitë t’anë, punuem kundrë ligjësë, punuem pa udhë. Atenitë t’anë ndë Misirë s’kupëtuenë mërekullit’ e tua, edhe nukë mbaitnë mend të shumën’ e përdëllimit t’yt, edhe të idhënuenë tue shkuem për-anë detit, ndë Det të Kuq. Por ai i shpëtoi për emënin’ e vet, qi të bante me u ngjofunë fuqia e vet. Edhe qirtoi Detin’ e Kuq, edhe u tha; edhe u hoqi udhënë ndëpër abyssa, porsi ndëpër shkretinë, edhe i shpëtoi prei dorës’ ati qi i kishte mëni, edhe i shpërbleu prei dorës’ anëmikut. Edhe ujënate mbuluen’ anëmiqt e atyneve, s’mbeti as nji prei asish. Ateherë i besuenë fjalës’ ati, edhe kënduenë lavdurimin’ e ati. Por shpeit harruenë punët’ e ati, nukë pritnë këshillën’ e ati, por dëshëruenë fort ndë shkretinët, edhe gërganë Perëndinë ndë vend të thate. Edhe ai u dha qish i lypnë, por u dërgoi sëmundëje gjithë shpirtënavet. Por patnë zmir edhe Moisenë ndë ushtërit, edhe Aaroninë shenjtin’ e Zotit. U hap dheu, e përpiu Dhathanë, edhe mbëloi përmbëledhëjen’ e Abiramit. Edhe u ndes ziarrm ndë përmbëledhëjet t’atyneve: flaka doq të pabesëtë. Edhe ndërtuenë viç ndë Horeb, edhe lutnë të derdhunin’ idhullë, edhe ndërruenë lavdin’ e vet me shëmbëllim kau qi ha bar. Harruenë Perëndinë qi i shpëtoi, i cilli banipunë të mëdha ndë Misirë, mërekulli ndë dhe të Hamit, punë të frikshime ndë Det te Kuq. Edhe tha me rrenuem ata, të mos ndenjëke përpara ati Moiseu i sgjedhun’ i ati, kur zu me i dërrmuem, qi të këthente zemërimin’ e ati, për mos me rrenuem ata.

Psalmet 106:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Aleluja! Përlëvdoni ZOTIN se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Kush mund t'i kumtojë bëmat e ZOTIT, t'u japë jehonë tërë lavdërimeve të tij? Lum ata që zbatojnë të drejtën, që veprojnë me drejtësi në çdo kohë. Kujtomë, o ZOT, sipas mirëdashjes që tregon ndaj popullit tënd, eja tek unë me shpëtimin tënd, që të shoh të mirat e të zgjedhurve të tu, që të gëzoj edhe unë bashkë me kombin tënd, e të krenohem me trashëgiminë tënde. Kemi mëkatuar ashtu si etërit tanë, kemi kryer paudhësi, të keqen kemi bërë. Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan, mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan, krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq. Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter, përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente, i shpengoi prej dorës së armikut. Ujërat i mbuluan kundërshtarët, asnjë prej tyre nuk shpëtoi. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe lavdërime atij i kënduan. Por shpejt i harruan veprat e tij e më nuk pritën për shestimin e tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë, Perëndinë e tunduan në vend të shkretë. Kërkesën atyre ua plotësoi, por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse. Smirë e patën Moisiun në fushim dhe Aronin, të shenjtin e ZOTIT. U hap toka dhe Datanin e përpiu, turmën e Abiramit e groposi. Zjarri e përpiu grumbullin e tyre, flaka i dogji të paudhët. Një viç punuan në Horeb, një idhull të metaltë adhuruan. Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar. Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan, atë që në Egjipt vepra madhështore bëri, mrekulli në tokën e Kamit, gjëra të tmerrshme në detin e Kuq. Mendoi, atëherë, t'i shfaroste, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, mes çarjes, para tij qëndroi, që zemërimin e tij ta përmbante e të mos i shkatërronte.

Psalmet 106:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij? Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë. Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd, me qëllim që të shoh mirëqenien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde. Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija. Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëlltyrën e një kau që ha bar. Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte.