Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 106:1-23

Psalmet 106:1-23 ALBB

Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij? Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë. Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd, me qëllim që të shoh mirëqenien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde. Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija. Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëlltyrën e një kau që ha bar. Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte.