Marku 1:21-45
Marku 1:21-45 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden». E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë. Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t'u shërbente. Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte. Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë. Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.
Marku 1:21-45 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit. Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët. Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë, duke thënë: ''Ç'ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë''. Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''. Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij. Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njëri-tjetrin duke thënë: ''Vallë ç'është kjo? Çfarë doktrinë e re qenka kjo? Ky i urdhëruaka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden''. Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë. Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të. Atëherë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t'u shërbejë. Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurët dhe të demonizuarit. Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës. Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin. Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut. Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin. Dhe, kur e gjetën, i thanë: ''Të gjithë po të kërkojnë!''. Dhe ai u tha atyre: ''Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur''. Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët. Dhe erdhi tek ai një lebros i cili, duke iu lutur, ra në gjunjë dhe i tha: ''Po të duash, ti mund të më pastrosh''. Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, e dua, qofsh pastruar!''. Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua. Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi, duke i thënë: ''Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta''. Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.