Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 1

1
1Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.
2Ashtu si është shkruar tek profetët: ''Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.
3Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.
4Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.
5Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
6Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.
7Ai predikonte duke thënë: ''Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t'i zgjidhur rripat e sandaleve të tij.
8Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë''.
9Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.
10Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejt po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb.
11Dhe një zë erdhi nga qielli: ''Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.
12Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë;
13dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin.
14Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,
15dhe duke thënë: ''U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin''.
16Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë.
17Dhe Jezusi u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''.
18Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
19Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë.
20Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.
21Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit.
22Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët.
23Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë,
24duke thënë: ''Ç'ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë''.
25Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''.
26Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij.
27Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njëri-tjetrin duke thënë: ''Vallë ç'është kjo? Çfarë doktrinë e re qenka kjo? Ky i urdhëruaka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden''.
28Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë.
29Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin.
30Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.
31Atëherë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t'u shërbejë.
32Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurët dhe të demonizuarit.
33Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës.
34Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin.
35Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut.
36Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin.
37Dhe, kur e gjetën, i thanë: ''Të gjithë po të kërkojnë!''.
38Dhe ai u tha atyre: ''Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur''.
39Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.
40Dhe erdhi tek ai një lebros i cili, duke iu lutur, ra në gjunjë dhe i tha: ''Po të duash, ti mund të më pastrosh''.
41Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, e dua, qofsh pastruar!''.
42Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.
43Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi,
44duke i thënë: ''Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta''.
45Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 1: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr