Mateu 3:1-11
Mateu 3:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë: një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër. Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi dhe mos mendoni se do t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr. Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr.
Mateu 3:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë, dhe thoshte: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!'' Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ''Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''. Tani Gjoni vetë kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër. Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai, dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre. Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen? Jepni pra fryte të denja të pendimit! Dhe mos t'ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve. Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr. Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.