Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 3

3
Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mk 1.1-8; Lk 3.1-9, 15-17; Gjn 1.19-28)
1Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. 2Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». 3Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë:
një zë thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër.
5Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai 6dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. 7Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? 8Jepni fryte të denja pendimi 9dhe mos mendoni se do t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 10Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr.
11Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 12Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mk 1.9-11; Lk 3.21-22)
13Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij. 14Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». 15Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. 16Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. 17Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur».

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë