Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 27:51-66

Mateu 27:51-66 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut. Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit. Ai shkoi te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi t'ia jepnin. Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e u largua. Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit. Të nesërmen ishte e shtunë. Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati e i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, pati thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”. Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t'i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari». Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë». Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin e vendosën roja, e siguruan varrin.

Mateu 27:51-66 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë; varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën; dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt. Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ''Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!''. Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galileja për t'i shërbyer; midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioses; dhe nëna e bijve të Zebedeut. Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimateja, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit. Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t'ia dorëzonin trupin. Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër, dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua. Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit. Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, duke thënë: ''Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem". Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t'i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari''. Por Pilati u tha atyre: ''Rojën e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t'ju duket më mirë''. Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.