Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 27:51-66

Mateu 27:51-66 AL1

Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut. Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit. Ai shkoi te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi t'ia jepnin. Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e u largua. Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit. Të nesërmen ishte e shtunë. Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati e i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, pati thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”. Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t'i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari». Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë». Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin e vendosën roja, e siguruan varrin.