Mateu 11:1-11
Mateu 11:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Si u mësoi këto gjëra dymbëdhjetë dishepujve, Jezui u largua që andej e shkoi për të mësuar njerëzit e për të predikuar në qytetet përreth. Gjoni ishte në burg dhe, kur dëgjoi për veprat e Krishtit, i çoi fjalë përmes dishepujve të vet për t'i thënë: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». Jezui u përgjigj kështu: «Shkoni e i tregoni Gjonit çka po dëgjoni e po shihni. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë». Kur u larguan ata, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të buta gjenden në pallatet mbretërore. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. Gjoni është ai për të cilin është shkruar: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje, që të përgatisë udhën tënde. Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzori. Por, më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.
Mateu 11:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbasi Jezusi përfundoi dhënien e porosive të tij dymbëdhjetë dishepujve të vet, u largua nga ai vend, për të mësuar dhe për të predikuar në qytetet e tyre. Por Gjoni, që kishte dëgjuar në burg të flitej për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet për t'i thënë: ''A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?'' Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni: Të verbrit po shohin, të çalët po ecin, lebrosët janë pastruar dhe të shurdhrit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve. Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë!''. Dhe kur ata po largoheshin, Jezusi nisi t'u thotë turmave për Gjonin: ''Çfarë keni dalë të shikoni në shkretëtirë? Kallamin që e tund era? Por çfarë keni dalë të shikoni? Njeriun e mbështjellë me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të buta banojnë në pallatet mbretërore. Atëherë, pra, ç'dolët të shikoni? Një profet? Po, ju them: ai është më shumë se një profet. Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate; ai do ta bëjë gati rrugën tënde para teje". Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.