Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 11

11
1Si u mësoi këto gjëra dymbëdhjetë dishepujve, Jezui u largua që andej e shkoi për të mësuar njerëzit e për të predikuar në qytetet përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Lk 7.18-35)
2Gjoni ishte në burg dhe, kur dëgjoi për veprat e Krishtit, i çoi fjalë përmes dishepujve të vet 3për t'i thënë: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 4Jezui u përgjigj kështu: «Shkoni e i tregoni Gjonit çka po dëgjoni e po shihni. 5Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 6Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
7Kur u larguan ata, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 8Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të buta gjenden në pallatet mbretërore. 9Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 10Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj
lajmëtarin tim para teje,
që të përgatisë udhën tënde.
11Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzori. Por, më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. 12Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me përpjekje të mëdha dhe atë e fitojnë ata që përpiqen#11.12 ose: dhunohet dhe të dhunshmit e rrëmbejnë atë. 13Të gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në kohën e Gjonit. 14Dhe doni apo s'doni ta pranoni, ai është Elia që duhej të vinte. 15Kush ka veshë, le të dëgjojë.
16Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve 17e u thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk mbajtët zi”.
18Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. 19Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta#11.19 dorëshk. të tjera: nga bijtë e vet».
Qytetet e papenduara
(Lk 10.13-15)
20Atëherë Jezui filloi të qortonte qytetet ku u bënë pjesa më e madhe e mrekullive të tij, por që nuk ishin penduar: 21«Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke hedhur hi mbi kokë. 22Por unë po ju them se Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit.
23Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
Sepse Sodoma do të kishte mbetur deri më sot po të ishin bërë aty mrekullitë që u bënë te ti. 24Por po ju them se toka e Sodomës do ta ketë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit».
Jezui jep prehje
(Lk 10.21-22)
25Atëherë Jezui tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. 26Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. 27Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë.
28Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh. 29Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, 30se zgjedha ime është e butë e barra ime është e lehtë».

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë