Levitiku 26:1-13 - Compare All Versions
Levitiku 26:1-13 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
«Mos bëni idhuj të rremë e as shtatore idhujsh për veten tuaj, mos ngrini shtylla të shenjta e mos bëni gurë me fytyra të gdhendura për t'i adhuruar në tokën tuaj, se unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Mbajini të shtunat e mia e druani shenjtëroren time. Unë jam ZOTI. Nëse ecni sipas vendimeve të mia, nëse i mbani urdhërimet e mia e i zbatoni ato, do t'ju jap shira në kohën e duhur, që toka të japë prodhim dhe që pemët e arave të mbushen me fruta. Atëherë korrjet tuaja do të zgjatin deri në kohën e vjeljes dhe vjelja deri në kohën e korrjes. Do të hani bukë sa të ngiheni e do të jetoni të sigurt në vendin tuaj. Do t'i jap paqe vendit e do të flini të qetë, pa ju trembur kush. Bishat e egra do t'i zhduk prej vendit tuaj dhe shpata nuk do ta përshkojë. Do t'i ndiqni armiqtë e ata do të bien para jush prej shpatës. Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre. Armiqtë do të bien prej shpatës suaj. Do ta kthej vështrimin nga ju, do t'ju bëj pjellorë e do t'ju shtoj dhe besëlidhjen time me ju do ta mbaj. Do të hani prej prodhimit të vjetër e do t'ju zgjatë, mandej do ta hidhni për t'i bërë vend prodhimit të ri. Do ta ngre banesën time mes jush e nuk do t'ju përbuz. Do të eci mes jush, do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj, që ju nxora prej tokës së Egjiptit, që të mos ishit më skllevër të tyre. Unë i theva shufrat e zgjedhës suaj, që të ecnit me kokën lart».
Levitiku 26:1-13 ALBB (Bibla Shqip 1994)
"Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj. Do të respektoni të shtunat e mia dhe do të respektoni shenjtëroren time. Unë jam Zoti. Në rast se silleni sipas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë, unë do t'ju jap shirat sipas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre. Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj. Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t'ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqija dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj. Ju do t'i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata. Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata. Unë do të kthehem nga ju, do t'ju bëj pjellorë dhe do t'ju shumëzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju. Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t'i bërë vend prodhimit të ri. Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t'ju përzë. Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart.