Levitiku 26:1-13
Levitiku 26:1-13 AL1
«Mos bëni idhuj të rremë e as shtatore idhujsh për veten tuaj, mos ngrini shtylla të shenjta e mos bëni gurë me fytyra të gdhendura për t'i adhuruar në tokën tuaj, se unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Mbajini të shtunat e mia e druani shenjtëroren time. Unë jam ZOTI. Nëse ecni sipas vendimeve të mia, nëse i mbani urdhërimet e mia e i zbatoni ato, do t'ju jap shira në kohën e duhur, që toka të japë prodhim dhe që pemët e arave të mbushen me fruta. Atëherë korrjet tuaja do të zgjatin deri në kohën e vjeljes dhe vjelja deri në kohën e korrjes. Do të hani bukë sa të ngiheni e do të jetoni të sigurt në vendin tuaj. Do t'i jap paqe vendit e do të flini të qetë, pa ju trembur kush. Bishat e egra do t'i zhduk prej vendit tuaj dhe shpata nuk do ta përshkojë. Do t'i ndiqni armiqtë e ata do të bien para jush prej shpatës. Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre. Armiqtë do të bien prej shpatës suaj. Do ta kthej vështrimin nga ju, do t'ju bëj pjellorë e do t'ju shtoj dhe besëlidhjen time me ju do ta mbaj. Do të hani prej prodhimit të vjetër e do t'ju zgjatë, mandej do ta hidhni për t'i bërë vend prodhimit të ri. Do ta ngre banesën time mes jush e nuk do t'ju përbuz. Do të eci mes jush, do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj, që ju nxora prej tokës së Egjiptit, që të mos ishit më skllevër të tyre. Unë i theva shufrat e zgjedhës suaj, që të ecnit me kokën lart».


