Gjyqtarët 2:6-13
Gjyqtarët 2:6-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jozuehu e shpërndau popullin dhe izraelitët shkuan nëpër pronat e tyre për të marrë në trashëgim tokën. Populli i shërbeu ZOTIT për sa kohë qe gjallë Jozuehu dhe për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut e i dinin të gjitha veprat që kishte bërë ZOTI për Izraelin. Jozuehu, biri i Nunit e shërbëtori i ZOTIT, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. E varrosën në tokën që kishte për pronë në Timnah Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash. I gjithë ai brez vdiq dhe u bashkua me etërit e vet. Pas tyre erdhi një brez i ri, që nuk njihte as ZOTIN, as veprat që ai kishte bërë për Izraelin. Izraelitët bënë ligësi në sytë e ZOTIT dhe u shërbyen Baalëve. Ata e braktisën ZOTIN, Perëndinë e etërve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe u dhanë pas perëndive të tjerë, pas perëndive të kombeve që kishin përreth. U përkulën para këtyre perëndive dhe ndezën zemërimin e ZOTIT. E braktisën ZOTIN e i shërbyen Baalit dhe Ashtarotës.
Gjyqtarët 2:6-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin. Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin. Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç, dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash. Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin. Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit; ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit; ata braktisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit.