Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 2

2
1Por Engjëlli i Zotit u ngjit nga Gilgali në Bokim dhe tha: "Unë ju nxora nga Egjipti dhe ju çova në vendin që isha betuar t'u jepja etërve tuaj. Kisha thënë gjithashtu: "Nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju.
2Por ju nuk do të lidhni asnjë aleancë me banorët e këtij vendi dhe do të shembni altarët e tyre". Por ju nuk iu bindët zërit tim. Pse e bëtë këtë?
3Kështu unë po ju them tani: Unë nuk do t'i dëboj para jush; por ata do të jenë si gjemba në ijët tuaja, dhe perënditë e tyre do të jenë për ju si një lak".
4Sapo Engjëlli i Zotit mbaroi së thëni këto fjalë tërë bijve të Izraelit, populli ngriti zërin dhe filloi të qajë.
5Prandaj ky vend u quajt Bokim dhe u bënë flijime për Zotin.
6Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin.
7Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin.
8Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,
9dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.
10Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin.
11Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit;
12ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit;
13ata braktisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit.
14Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t'u bënin ballë.
15Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë.
16Pastaj Zoti nxirrte gjyqtarë, që i lironin nga duart e atyre që i zhvishnin.
17Mjerisht ata nuk i dëgjonin as gjyqtarët e tyre, por kurvëroheshin përpara perëndive të tjera dhe binin përmbys para tyre. Ata braktisën shpejt rrugën e ndjekur nga etërit e tyre, të cilët u ishin bindur urdhrave të Zotit; por ata nuk vepruan ashtu.
18Kur Zoti u nxirrte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i lironte nga dora e armiqve të tyre gjatë gjithë jetës së gjyqtarit; sepse Zoti prekej nga vajtimet e tyre të shkaktuara nga ata që i shtypnin dhe i mundonin.
19Por kur gjyqtari vdiste, ata vazhdonin të korruptoheshin më shumë se etërit e tyre, duke ndjekur perëndi të tjera dhe duke rënë përmbys para tyre; dhe nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte.
20Prandaj mëria e Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai tha: "Duke qenë se ky komb ka shkelur besëlidhjen që unë kisha përfunduar me etërit e tyre dhe ata nuk i janë bindur zërit tim,
21edhe unë nuk do të dëboj më para tyre asnjë prej kombeve që Jozueu la kur vdiq;
22kështu me anë tyre do të vë në provë Izraelin për të parë në se do t'i përmbahen rrugës së Zotit dhe do të ecin në të siç bënë etërit e tyre, ose jo".
23Prandaj Zoti i la këto kombe të qëndrojnë aty pa i dëbuar menjëherë, dhe nuk i dha në duart e Jozueut.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 2: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë