Gjyqtarët 2:10-15
Gjyqtarët 2:10-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
I gjithë ai brez vdiq dhe u bashkua me etërit e vet. Pas tyre erdhi një brez i ri, që nuk njihte as ZOTIN, as veprat që ai kishte bërë për Izraelin. Izraelitët bënë ligësi në sytë e ZOTIT dhe u shërbyen Baalëve. Ata e braktisën ZOTIN, Perëndinë e etërve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe u dhanë pas perëndive të tjerë, pas perëndive të kombeve që kishin përreth. U përkulën para këtyre perëndive dhe ndezën zemërimin e ZOTIT. E braktisën ZOTIN e i shërbyen Baalit dhe Ashtarotës. Atëherë zemërimi i ZOTIT u ndez kundër Izraelit dhe ai i la në duart e kusarëve, që i plaçkitën dhe i shitën tek armiqtë që i rrethonin. Izraelitët nuk mundën t'u bëjnë ballë armiqve. Kudo që shkonin dora e ZOTIT ishte kundër tyre dhe u sillte fatkeqësi, ashtu siç kishte thënë ZOTI dhe ashtu siç u ishte përbetuar. Izraelitët ishin në mjerim të madh.
Gjyqtarët 2:10-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin. Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit; ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit; ata braktisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit. Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t'u bënin ballë. Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë.