Osea 5:1-15
Osea 5:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Dëgjojeni këtë, o priftërinj, kushtojini vëmendje, o shtëpia e Izraelit, mbani vesh, o familja mbretërore, se juve ju përket gjykimi. U bëtë lak për Micpahun, rrjetë e hedhur mbi Taborin, hon i thellë në Shitim, por unë do t'i qortoj ata të gjithë. Unë e njoh Efraimin, Izraeli nuk më fshihet dot. Tashmë Efraimi u kurvërua, Izraeli u përdhos. Veprat e tyre nuk do t'i lejojnë të kthehen te Perëndia i tyre, se mes tyre është kurvëria e ZOTIN nuk e njohin. Krenaria jote, o Izrael, dëshmon kundër teje, Izraeli dhe Efraimi pengohen për fajet e veta, edhe Juda u pengua bashkë me ta. Me dhen e qe shkojnë për të kërkuar ZOTIN, por nuk do ta gjejnë, se prej tyre ai u tërhoq. Me ZOTIN u sollën të pabesë, se lindën fëmijë kopilë. Ndaj brenda muajit do të përpihen bashkë me pronat e tyre. Bjerini bririt në Gibeah, trumbetës në Ramah, lëshoni kushtrimin në Bet Aven: “Pas teje, o Benjamin!”. Në ditën e ndëshkimit, Efraimi do të shkretohet. Mes fiseve të Izraelit, shpalla çfarë është e sigurt. Princat e Judës u bënë si ata që lëvizin kufijtë. Porsi ujërat do ta derdh zemërimin tim mbi ta! Efraimi u shtyp, u dërrmua me të drejtë, se deshi të ndiqte fëlligështinë. Do të jem si mola për Efraimin, si kalbësira për shtëpinë e Judës. E pa Efraimi lëngatën e vet e Juda plagën e vet. Shkoi Efraimi në Asiri, kërkoi ndihmë nga mbreti i madh, por, ai nuk të shëron dot, as plagën nuk ta mjekon dot. Se unë do të jem si luani kundër Efraimit, si këlyshi i luanit kundër shtëpisë së Judës. Unë, unë do t'i shqyej e pastaj do të largohem, do t'i rrëmbej e shpëtim s'do të ketë. Do të kthehem në banesën time, derisa të më kërkojnë me keqardhje e në mjerimin e tyre me ngulm të më kërkojnë».
Osea 5:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Dëgjoni këtë, o priftërinj, kushtojini kujdes ju të shtëpisë së Izraelit, vini veshin, o shtëpi e mbretit; sepse ky gjykim është kundër jush. Në fakt ju keni qenë një lak në Mitspah dhe një rrjetë e shtrirë mbi Tabor. Ata që devijojnë kanë rënë thellë në masakër, por unë do t'i dënoj të gjithë. Unë e njoh Efraimin, dhe për mua Izraeli nuk është aspak i panjohur; tani, o Efraim, ti je kurvëruar; Izraeli është ndotur. Veprimet e tyre nuk u lejojnë atyre të kthehen te Perëndia i tyre, sepse fryma e kurvërimit është në mes të tyre dhe nuk njohin Zotin. Por kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij; prandaj Izraeli dhe Efraimi do të bien për shkak të paudhësisë së tyre, dhe bashkë me ta do të bjerë edhe Juda. Me kopetë e tyre dhe me tufat e tyre do të shkojnë në kërkim të Zotit, por nuk do ta gjejnë; ai është tërhequr prej tyre. Kanë vepruar me mashtrim kundër Zotit, sepse kanë bërë fëmijë me shkelje të kurorës; tani një muaj i vetëm do t'i hajë ata dhe vendin e tyre. I bini bririt në Gibeah, i bini borisë në Ramah, jepni alarmin në Beth-Aven; armikun e ke prapa krahëve të tua, o Beniamin. Efraimi do të shkretohet ditën e ndëshkimit; midis fiseve të Izraelit unë të bëj të ditur një gjë të sigurt. Krerët e Judës janë si ata që zhvendosin kufijtë; unë do ta derdh zemërimin tim mbi ta si uji. Efraimi është një shtypës dhe një shkelës i drejtësisë, sepse ka ndjekur me vendosmëri urdhrat njerëzore. Prandaj unë do të jem për Efraimin si një tenjë dhe për shtëpinë e Judës si kalbësirë. Kur Efraimi pa sëmundjen e tij dhe Juda plagën e tij, Efraimi shkoi në Asiri dhe i dërgoi lajmëtarë mbretit Jareb; megjithatë ai nuk mund t'ju shërojë as t'ju mjekojë plagën. Sepse unë do të jem për Efraimin si një luan dhe për shtëpinë e Judës si një luan i vogël; unë, unë vetë do ta shqyej dhe do të largohem; do të marr me vete prenë dhe askush nuk do të ma heqë. Do të kthehem në vendin tim derisa të njohin që janë fajtorë dhe do të kërkojnë me siguri fytyrën time; në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell".