«Dëgjojeni këtë, o priftërinj,
kushtojini vëmendje, o shtëpia e Izraelit,
mbani vesh, o familja mbretërore,
se juve ju përket gjykimi.
U bëtë lak për Micpahun,
rrjetë e hedhur mbi Taborin,
hon i thellë në Shitim,
por unë do t'i qortoj ata të gjithë.
Unë e njoh Efraimin,
Izraeli nuk më fshihet dot.
Tashmë Efraimi u kurvërua,
Izraeli u përdhos.
Veprat e tyre nuk do t'i lejojnë
të kthehen te Perëndia i tyre,
se mes tyre është kurvëria
e ZOTIN nuk e njohin.
Krenaria jote, o Izrael, dëshmon kundër teje,
Izraeli dhe Efraimi pengohen për fajet e veta,
edhe Juda u pengua bashkë me ta.
Me dhen e qe shkojnë
për të kërkuar ZOTIN,
por nuk do ta gjejnë,
se prej tyre ai u tërhoq.
Me ZOTIN u sollën të pabesë,
se lindën fëmijë kopilë.
Ndaj brenda muajit do të përpihen
bashkë me pronat e tyre.
Bjerini bririt në Gibeah,
trumbetës në Ramah,
lëshoni kushtrimin në Bet Aven:
“Pas teje, o Benjamin!”.
Në ditën e ndëshkimit,
Efraimi do të shkretohet.
Mes fiseve të Izraelit,
shpalla çfarë është e sigurt.
Princat e Judës u bënë
si ata që lëvizin kufijtë.
Porsi ujërat do ta derdh zemërimin tim mbi ta!
Efraimi u shtyp,
u dërrmua me të drejtë,
se deshi të ndiqte fëlligështinë.
Do të jem si mola për Efraimin,
si kalbësira për shtëpinë e Judës.
E pa Efraimi lëngatën e vet
e Juda plagën e vet.
Shkoi Efraimi në Asiri,
kërkoi ndihmë nga mbreti i madh,
por, ai nuk të shëron dot,
as plagën nuk ta mjekon dot.
Se unë do të jem si luani kundër Efraimit,
si këlyshi i luanit kundër shtëpisë së Judës.
Unë, unë do t'i shqyej e pastaj do të largohem,
do t'i rrëmbej e shpëtim s'do të ketë.
Do të kthehem në banesën time,
derisa të më kërkojnë me keqardhje
e në mjerimin e tyre me ngulm të më kërkojnë».