Eksodi 20:1-21
Eksodi 20:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Perëndia tha këto fjalë: «Unë, ZOTI, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje. Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë ZOTI, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezninë e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e që zbatojnë ligjin tim. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e ZOTIT, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij. Kujtoje ditën e shtunë dhe shenjtëroje. Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, por dita e shtatë është e shtuna e ZOTIT, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote e as i huaji që rri me ty. Sepse në gjashtë ditë ZOTI bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka është në to. Ditën e shtatë ai pushoi, prandaj edhe ZOTI e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtunë. Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt. Mos vrit. Mos bëj tradhti bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd. Mos lakmo shtëpinë e tjetrit. Mos lakmo gruan e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë që është e tija». Tërë populli i dëgjoi e i pa gjëmimet, vetëtimat, jehonën e bririt dhe malin në tym, u drodh nga frika dhe qëndroi larg. Atëherë i thanë Moisiut: «Fol ti me ne e ne do të dëgjojmë. Të mos na flasë Perëndia, përndryshe do të vdesim!». Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Perëndia erdhi për t'ju sprovuar, që ta druani gjithnjë e të mos mëkatoni». Populli qëndroi larg, ndërsa Moisiu iu afrua resë së errët, ku ishte Perëndia.
Eksodi 20:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t'i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia. Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij. Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë. Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep. Nuk do të vrasësh. Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore. Nuk do të vjedhësh. Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd. Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd". Tani tërë populli dëgjonte bubullimat, tingullin e borisë dhe shihte shkreptimat dhe malin që nxirrte tym. Para kësaj pamjeje, populli dridhej dhe qëndronte larg. Prandaj ata i thanë Moisiut: "Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim". Moisiu i tha popullit: "Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t'ju provojë, dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni". Populli, pra, qëndronte larg, por Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia.