Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 15:5-20 - Compare All Versions

Veprat e Apostujve 15:5-20 ALBB (Bibla Shqip 1994)

Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: ''Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut''. Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem. Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: ''Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë. Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve; dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit. Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë? Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata''. Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnaban dhe Palin, që tregonin ç'shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj. Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: ''Vëllezër, më dëgjoni! Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij. Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar: "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t'i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë, që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto". Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij. Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia, por t'u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.

Veprat e Apostujve 15:5-20 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))

Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Të kthyerit në besim duhet të rrethpriten e të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut». Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje. Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha: «Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë. Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve. Ai i pastroi zemrat e tyre me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre. Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne? Përkundrazi, ne besojmë se do të shpëtohemi përmes hirit të Zotit Jezu, sikurse do të shpëtohen edhe ata». Ata heshtën të gjithë dhe dëgjonin Barnabën e Palin që tregonin për të gjitha shenjat e mrekullitë që Perëndia kishte bërë përmes tyre mes kombeve. Pasi mbaruan së foluri këta, Jakobi tha: «Vëllezër, më dëgjoni. Simon Pjetri na tregoi sesi për herë të parë Perëndia u përkujdes për të bërë nga kombet një popull që t'i përkasë atij. Kjo përkon me fjalët e profetëve, sikurse është shkruar: pas këtyre gjërave, unë do të kthehem e do ta ringre tendën e Davidit që është rrëzuar. Do ta ringre nga rrënojat e saj e do ta lartësoj sërish, kështu që, të gjithë njerëzit e tjerë të mund ta kërkojnë Zotin e po ashtu edhe të gjithë kombet që janë bërë populli im. Kështu thotë Zoti që i bën këto gjëra të njohura që nga amshimi. Prandaj mendoj se nuk duhet t'u vëmë barrë kombeve që kthehen te Perëndia, por duhet t'u shkruajmë që të heqin dorë nga mishi i ndotur që u është kushtuar idhujve, nga kurvëria, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga pirja e gjakut.