Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 15:5-20

Veprat e Apostujve 15:5-20 ALBB

Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: ''Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut''. Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem. Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: ''Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë. Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve; dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit. Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë? Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata''. Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnaban dhe Palin, që tregonin ç'shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj. Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: ''Vëllezër, më dëgjoni! Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij. Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar: "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t'i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë, që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto". Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij. Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia, por t'u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.