Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 68:21-35

Psalmet 68:21-35 ALBB

Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij. Zoti ka thënë: "Do t'i kthej nga Bashani, do t'i kthej nga humnerat e detit, me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon". Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore. Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve. Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit. Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit. Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne. Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata. Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, derisa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë. Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t'i shtrijë Perëndisë duart e saj. O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela) atij që shkon me kalë mbi qiejt e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm. Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejt. O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!