Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 19

19
1Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet;
2dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur.
3Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati.
4Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej.
5Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: ''Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde''.
6Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.
7Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: ''Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar''.
8Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ''Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t'ia kthej katërfish''.
9Dhe Jezusi i tha: ''Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur''.
11Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.
12Tha, pra: ''Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.
13Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni derisa të kthehem".
14Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".
15Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t'i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.
16Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";
17dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".
18Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";
19dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".
20Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,
21sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".
22Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;
23përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".
24Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".
25Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".
26Unë po ju them se atij që ka, do t'i jepet; por atij që s'ka do t'i hiqet edhe ajo që ka.
27Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!"''.
28Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.
29Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanisë, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,
30duke u thënë: ''Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.
31Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?", u thoni atyre kështu: "Zoti ka nevojë"''.
32Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.
33Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: ''Përse po e zgjidhni kërriçin?''.
34Dhe ata thanë: ''Zoti ka nevojë''.
35Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.
36Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.
37Dhe kur ai iu afrua teposhtës së Malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,
38duke thënë: ''Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta''.
39Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: ''Mësues, qorto dishepujt e tu!''.
40Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin''.
41Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,
42duke thënë: ''Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.
43Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.
44Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s'do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar''.
45Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t'i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,
46duke u thënë atyre: ''Është shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh"''.
47Çdo ditë ai mësonte në tempull. Dhe krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin.
48Dhe nuk arrinin dot të vendosnin çfarë të bënin; sepse gjithë populli e dëgjonte me vëmendje të madhe.

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 19: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë