Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 27

27
1"Do të bësh edhe një altar prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë pesë kubitë; altari do të jetë katror dhe do të ketë tre kubitë lartësi.
2Në katër qoshet e tij do të bësh brirë, që do të formojnë një tërësi me të; dhe do ta veshësh atë me bronz.
3Do të bësh edhe enët e tij për të mbledhur hirin, lopatëzat e tij, legenët e tij, pirunët e tij dhe mangallet e tij; të gjitha veglat e tij do t'i bësh prej bronzi.
4Do t'i bësh gjithashtu një grilë prej bronzi në formë rrjete dhe mbi rrjetë, në katër qoshet e tij, do të bësh katër unaza prej bronzi;
5dhe do ta vësh nën kornizën e altarit, në pjesën e poshtme, në mënyrë që rrjeta të ndodhet në gjysmën e lartësisë së altarit.
6Do të bësh edhe disa shufra për altarin, shufra me drurin e akacies, dhe do t'i veshësh me bronz.
7Shufrat do të kalojnë nëpër unazat; dhe shufrat do të jenë në të dy anët e altarit, kur ky do të duhet të bartet.
8Do ta bësh me dërrasa dhe bosh nga brenda; duhet ta bësh ashtu siç t'u tregua në mal.
9Do të bësh edhe oborrin e tabernakullit; nga ana e jugut, oborri do të ketë perde prej liri të hollë të përdredhur, me një gjatësi prej njëqind kubitësh nga një anë,
10dhe njëzet shtylla me njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllës dhe shtizat e tyre do të jenë prej argjendi.
11Kështu edhe në gjatësinë nga ana e veriut, do të ketë perde me një gjatësi prej njëqind kubitësh, me njëzet shtylla dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave do të jenë prej argjendi.
12Dhe për gjerësinë e oborrit nga ana e perëndimit, do të ketë pesëdhjetë kubitë perdesh me dhjetë shtyllat dhe dhjetë bazat e tyre.
13Nga ana lindore gjerësia e oborrit do të jetë gjithashtu pesëdhjetë kubitë.
14Nga një anë e portës së hyrjes do të ketë pesëmbëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre;
15dhe nga ana tjetër do të ketë gjithashtu pesëmbëdhjetë kubitë perde me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre.
16Për portën e hyrjes në oborr do të ketë një perde prej njëzet kubitësh, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur, punë e një qëndistari, me katër shtyllat dhe katër bazat e tyre.
17Tërë shtyllat rreth oborrit do të bashkohen me shtiza argjendi; grremçat e tyre do të jenë prej argjendi dhe bazat e tyre prej bronzi.
18Gjatësia e oborrit do të jetë njëqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë kubitë dhe lartësia pesë kubitë, me perde prej liri të hollë të përdredhur dhe me bazat prej bronzi.
19Të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tabernakullit, tërë kunjat e tij dhe tërë kunjat e oborrit do të jenë prej bronzi.
20Do të urdhërosh bijtë e Izraelit që të sjellin vaj ulliri safi prej ullinjsh të shtypur, për dritën e shandanit për t'i mbajtur vazhdimisht të ndezura llambat.
21Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që ndodhet përpara dëshmisë, Aaroni dhe bijtë e tij do t'i mbajnë llambat të ndezura, në mënyrë që të digjen nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Kjo do të jetë një rregull e përhershme midis bijve të Izraelit për të gjithë brezat e ardhshëm".

Aktualisht i përzgjedhur:

Eksodi 27: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë