Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Sofonia 2:4-15

Sofonia 2:4-15 AL1

Gaza do të jetë e shkretë, Ashkeloni do të rrënohet, Ashdodi do të zbohet në mes të ditës, Ekroni do të çrrënjoset. Mjerë banorët e bregdetit, kombi i Keretit. Fjala e ZOTIT është kundër teje, o Kanaan, tokë filistine, do të të zhbij e banorë s'do të kesh më. Bregdeti do të bëhet kullotë, livadh barinjsh, vathë dhensh. Do t'i përkasë tepricës së shtëpisë së Judës, që për kullota ta përdorin. Në shtëpinë e Ashkelonit, do të shtrihen në mbrëmje, se ZOTI, Perëndia i tyre, do të kujtohet për ta e fatin do t'ua kthejë. E dëgjova përbuzjen e Moabit, përqeshjen e bijve të Amonit, kur e fyen popullin tim e ia kërcënuan kufijtë. Ndaj, pasha jetën time, kumton ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit, Moabi do të bëhet si Sodoma, bijtë e Amonit porsi Gomorra, vend hithrash e gropë kripe, shkreti e përhershme. Tepricën e popullit tim do ta plaçkisin, të mbeturit e kombit tim do t'i pushtojnë. Ky do të jetë shpërblimi i krenarisë së tyre, se e përbuzën popullin e ZOTIT të ushtrive dhe u mburrën para tij. I tmerrshëm do të jetë ZOTI kundër tyre. Ai do t'i mpakë gjithë perënditë e tokës. Zotin do ta adhurojë çdo komb e ishull, secili në vendin e vet. Edhe ti, o Kush, prej shpatës sime do të theresh. Ai do ta ngrejë dorën kundër veriut, Asirinë do ta zhbijë. Ninivën do ta bëjë djerrinë, të thatë porsi shkretëtirë. Kopetë e çdo lloji, në mes të saj do të shtrihen. Në krythat e saj do të zënë vend huta dhe iriqi. Do të kuisë bufi në dritare, korbi në prag të derës, se u hoq veshja prej cedri. Ky është qyteti ngazëllues që banonte i sigurt e me vete thoshte: “Unë, e tjetër s'ka!”. Po si ndodhi që u shkretove e strofull bishash u bëre? Kushdo që kah ti kalon, fërshëllen e bën gjeste me duar».