Ah, të të kisha si vëllanë tim
që gjinjtë e nënës sime thithi!
Do të të gjeja përjashta
e do të të puthja,
njeri pa më përçmuar.
Do të të prija në shtëpinë e nënës sime,
e ti do të më mësoje,
por unë verë erëmirë do të të koja
e lëngun e shegës sime.
Me dorën e majtë kokën ai ma mban
e me të djathtën më përqafon.
Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit,
mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë,
deri kur t'ia ketë ënda.
Kush është ajo që ngjitet shkretëtirës
mbështetur tek i shtrenjti i vet?
Nën mollë të zgjova ty,
atje ku të lindi nëna,
atje ku lehona ty të pati lindur.
Vërmë si vulë në zemër,
si vulë në krahun tënd,
se e fortë si vdekja është dashuria,
e egër si skëterra smira,
zjarrmia e saj zjarrmi përflakëse,
flakë përvëluese.
Ujërat e mëdha
dashurinë s'mund ta shuajnë,
as lumenjtë nuk mund ta përmbytin.
Kush për dashuri jep shtëpi e katandi,
fiton veçse qesëndi.
Një motër të vogël kemi,
që gjinjtë s'i kanë dalë.
Ç'do të bëjmë me motrën tonë,
kur për të të flitet?
Po të ishte mur,
bedena argjendi do t'i bënim,
flegra cedra do t'i vinim,
po të ishte derë.
Mur jam unë
e gjinjtë e mi si kulla.
Para syve të tij
paqe unë kam gjetur.
Një vresht pati Solomoni
në Baalhamon,
e rojtarëve vreshtin ua dha.
Secili për frytet e saj do të sillte
një mijë monedha argjendi.
Vreshti im, që më përket mua,
shtrihet para meje.
Ja, një mijë monedha për ty Solomon
e dyqind për rojat e fryteve të tij.
O ti, që banon në kopshte,
e shokët e mi zërin ta dëgjojnë,
edhe unë ta dëgjofsha!
Shpejto, i shtrenjti im,
porsi kaprolli a zogu i drenushës,
në bjeshkët erëmira.