Kantiku i Kantikëve 8:1-14
Kantiku i Kantikëve 8:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ah, të të kisha si vëllanë tim që gjinjtë e nënës sime thithi! Do të të gjeja përjashta e do të të puthja, njeri pa më përçmuar. Do të të prija në shtëpinë e nënës sime, e ti do të më mësoje, por unë verë erëmirë do të të koja e lëngun e shegës sime. Me dorën e majtë kokën ai ma mban e me të djathtën më përqafon. Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit, mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë, deri kur t'ia ketë ënda. Kush është ajo që ngjitet shkretëtirës mbështetur tek i shtrenjti i vet? Nën mollë të zgjova ty, atje ku të lindi nëna, atje ku lehona ty të pati lindur. Vërmë si vulë në zemër, si vulë në krahun tënd, se e fortë si vdekja është dashuria, e egër si skëterra smira, zjarrmia e saj zjarrmi përflakëse, flakë përvëluese. Ujërat e mëdha dashurinë s'mund ta shuajnë, as lumenjtë nuk mund ta përmbytin. Kush për dashuri jep shtëpi e katandi, fiton veçse qesëndi. Një motër të vogël kemi, që gjinjtë s'i kanë dalë. Ç'do të bëjmë me motrën tonë, kur për të të flitet? Po të ishte mur, bedena argjendi do t'i bënim, flegra cedra do t'i vinim, po të ishte derë. Mur jam unë e gjinjtë e mi si kulla. Para syve të tij paqe unë kam gjetur. Një vresht pati Solomoni në Baalhamon, e rojtarëve vreshtin ua dha. Secili për frytet e saj do të sillte një mijë monedha argjendi. Vreshti im, që më përket mua, shtrihet para meje. Ja, një mijë monedha për ty Solomon e dyqind për rojat e fryteve të tij. O ti, që banon në kopshte, e shokët e mi zërin ta dëgjojnë, edhe unë ta dëgjofsha! Shpejto, i shtrenjti im, porsi kaprolli a zogu i drenushës, në bjeshkët erëmira.
Kantiku i Kantikëve 8:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ah, sikur të ishe ti si një vëllai im, që mënd në gjinjtë e nënës sime! Duke të gjetur jashtë do të të puthja, dhe askush nuk do të më përçmonte. Do të të çoja dhe do të fusja në shtëpinë e nënës sime; ti do të më mësoje dhe unë do të të jepja për të pirë verë aromatike, lëng nga shega ime. Dora e tij e majtë qoftë nën kokën time dhe e djathta e tij më përqafoftë! O bija të Jeruzalemit, ju lutem shumë, mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, derisa kështu t'i pëlqejë. Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj? Të kam zgjuar nën mollën, ku nëna jote të ka lindur, ku ajo që të ka lindur të ka nxjerrë në dritë. Më vër si një vulë mbi zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si Sheoli. Flakët e saj janë flakë zjarri, një flakë që përvëlon. Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Në rast se dikush do të jepte tërë pasuritë e shtëpisë së tij në këmbim të dashurisë, do të përbuzej me siguri. Ne kemi një motër të vogël që ende nuk ka gjinj; çfarë do të bëjmë për motrën tonë ditën që do të flitet për të? Në qoftë se është një mur, do të ndërtojmë mbi të një pallat prej argjendi; në qoftë se është një portë, do ta forcojmë me dërrasa cedri. Unë jam një mur, dhe gjinjtë e mi janë si kulla; prandaj në sytë e tij jam bërë si ajo që ka gjetur paqen. Salomoni kishte një vresht në Baal-Hamon; ai ua besoi disa rojtarëve, secili prej tyre duhet t'i çonte si fryt të tij një mijë sikla argjendi. Vreshti im, që është imi, ndodhet para meje. Ti, Salomon, mbaji një mijë siklat dhe rojtarët e frytit të tij marrshin dyqind. Ti që banon në kopshte, shokët po dëgjojnë zërin tënd; bëj ta dëgjoj edhe unë. Eja shpejt, i dashuri im, dhe ngjaji një gazele apo një sute në malet e aromave!