Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 5

5
Të pajtuar me Perëndinë
1Përderisa jemi bërë të drejtë prej besimit, kemi paqe me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht. 2Përmes tij kemi hyrë me besim në hirin e Perëndisë, hir në të cilin qëndrojmë e krenohemi me shpresën se do të marrim pjesë në lavdinë e Perëndisë. 3Jo vetëm kaq, por ne krenohemi edhe kur kalojmë vuajtje, sepse e dimë se vuajtja sjell durimin, 4durimi sjell qëndresën në sprova dhe sprovat sjellin shpresën. 5Shpresa nuk na turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të shenjtë që na u dha.
6Kur ishim ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e caktuar për ata që jetonin pa besim në Perëndinë. 7Në të vërtetë, vështirë se dikush do të jepte jetën për një njeri të drejtë. Ndoshta për një njeri të mirë dikush edhe do të guxonte të vdiste. 8Kur ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Me këtë Perëndia e tregoi dashurinë e tij për ne.
9Për më tepër, ne që tashmë jemi bërë të drejtë prej gjakut të Krishtit, do të shpëtojmë përmes tij edhe nga zemërimi i Perëndisë. 10Nëse u pajtuam me Perëndinë përmes vdekjes së Birit të tij kur ende ishim armiq me të, aq më tepër do të shpëtohemi prej jetës së Birit të tij tani që jemi pajtuar me të. 11Jo vetëm kaq, por ne edhe krenohemi me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht, nëpërmjet të cilit tashmë jemi pajtuar me të.
Adami dhe Krishti
12Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu e nëpërmjet mëkatit hyri vdekja. Kështu vdekja depërtoi te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan. 13Në të vërtetë, mëkati ishte në botë edhe përpara se të jepej ligji, mirëpo mëkati nuk njihej si i tillë përderisa nuk kishte ligj. 14Megjithatë, që nga Adami deri te Moisiu, vdekja mbretëroi edhe mbi ata që nuk bënë të njëjtin mëkat si të Adamit, i cili shkeli urdhërimin e Perëndisë.
Adami është gjedha e atij që do të vinte. 15Por dhurata e hirit të Perëndisë nuk mund të krahasohet me shkeljen e Adamit. Nëse prej shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën të gjithë, aq më shumë do të teprojnë për të gjithë hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e bërë nga një njeri i vetëm, Jezu Krishti.
16Dhurata e Perëndisë nuk është si e keqja që solli mëkati i një njeriu; sepse gjykimi që erdhi nga mëkati i një njeriu solli ndëshkim; ndërsa dhurata e hirit që na u dha pas shumë shkeljesh, na bëri të drejtë. 17Nëse vdekja mbretëroi përmes një njeriu të vetëm për shkak të shkeljes së tij, aq më tepër do të mbretërojnë në jetë ata që përmes një njeriu, Jezu Krishtit, marrin hirin e begatë dhe dhuratën e Perëndisë, që na bën të drejtë.
18Prandaj, sikurse përmes shkeljes së një njeriu të vetëm erdhi ndëshkimi për të gjithë njerëzit, ashtu edhe përmes veprës së drejtë të një njeriu Perëndia i bën të drejtë e u jep jetë të gjithë njerëzve. 19Sikurse përmes mosbindjes së një njeriu të vetëm të gjithë u bënë mëkatarë, ashtu edhe përmes bindjes së një njeriu të vetëm të gjithë do të bëhen të drejtë.
20Por kur erdhi ligji, u pa sesa të shumta ishin shkeljet. Mirëpo, aty ku mëkati ishte i shumtë, edhe më i shumtë ishte hiri i Perëndisë. 21Kështu, sikurse mëkati mbretëroi me anë të vdekjes, ashtu do të mbretërojë edhe hiri, duke na bërë të drejtë për të na çuar në jetën e amshuar përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Romakëve 5: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë