Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 89:1-29

Psalmet 89:1-29 AL1

Mirësive të tua, o ZOT, do t'u këndoj në amshim, besnikërinë tënde do ta shpall brez pas brezi me gojën time. Se thashë: «Mirësia jote mbetet në amshim, në qiej i ka rrënjët besnikëria jote». E ti the: «Kam bërë një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim. Pasardhësit e tu do t'i ruaj në amshim, fronin tënd do ta forcoj brez pas brezi». selah Qiejt rrëfejnë mrekullitë e tua, o ZOT, kuvendi i të shenjtëve të tu, besnikërinë tënde. Kush ndër re krahasohet me ZOTIN? Ndër bijtë e perëndive, kush është si ZOTI? I tmerrshëm është Perëndia në kuvendin e të shenjtëve, i madh e i frikshëm për ata që e rrethojnë. Kush është si ti, o ZOT, Perëndi i ushtrive? I fuqishëm je, o ZOT, me besnikërinë tënde rrethuar. Ti e sundon tërbimin e detit, rrëmbimin e dallgëve të tij, ti e fashit. Ti e dërrmove Rahabën dhe e plandose, armiqtë i shpërndave me krahun tënd të fuqishëm. Yti është qielli, jotja edhe toka, ti e themelove botën dhe gjithçka në të. Veriun e jugun ti i krijove, Tabori dhe Hermoni brohorasin për emrin tënd. Krahu yt është plot fuqi, e fortë është dora jote, e djathta jote lart është ngritur. Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, mirësia dhe besnikëria të rrinë kundruall. Lum ai popull, që di të brohorasë për ty, në dritën e pranisë sate do të ecë, o ZOT. Në emrin tënd do të ngazëllojnë tërë ditën, në drejtësinë tënde do të lartësohen. Se ti je krenaria e fuqisë së tyre, me hirin tënd bëhemi edhe më të fortë. Mbrojtja jonë vjen prej ZOTIT, mbreti ynë prej të shenjtit të Izraelit. Në vegim fole dikur me besnikët e tu: «I dhashë ndihmë një trimoshi», the, «Lartësova një të zgjedhur prej popullit. Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, me vajin tim të shenjtë e vajosa. Dora ime do të jetë përherë me të e krahu im do t'i japë forcë. Armiku nuk do ta mposhtë, biri i paudhësisë nuk do t'i bëjë keq. Para syve të tij do t'i thyej armiqtë e tij, ata që e urrejnë do t'i godas. Besnikëria e mirësia ime do të jenë me të, në emrin tim do të bëhet gjithnjë e më i fortë. Dorën e tij do ta shtrij mbi det, të djathtën e tij mbi lumenj. Ai do të më thërrasë: “Ati im je ti, Perëndia im, shkëmbi i shpëtimit tim”, e unë do ta bëj të parëlindurin tim, më të madhin ndër mbretërit e tokës. Mirësia ime do të jetë me të përgjithmonë, besëlidhja me të do të mbetet e pathyeshme.