Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 109

109
1Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
O Perëndi, lavdi im,
mos hesht!
2Se goja e të paudhit dhe goja e mashtruesit
është hapur kundër meje,
kanë folur kundër meje
me gjuhë gënjeshtare.
3Më kanë rrethuar me fjalë urrejtjeje,
më kanë sulmuar pa shkak.
4Dashurisë sime i përgjigjen me padi,
por unë veç lutem.
5Të mirën ma kthejnë me të keqe,
dashurinë ma shpërblejnë me urrejtje.
6«Cakto një të paudhë mbi të», thonë,
«Një paditës, që t'i rrijë në të djathtë.
7Daltë fajtor kur ta gjykojnë,
lutja iu ktheftë në mëkat.
8Qofshin të pakta ditët e tij,
vendin e tij e zëntë një tjetër.
9Bijtë e tij mbetshin jetimë
dhe gruaja e tij vejushë.
10Iu bëfshin bijtë endacakë e lypsarë,
rrëmofshin larg rrënojave të tyre.
11Pasurinë ia marrtë huadhënësi,
të huajt e përlafshin mundin e tij.
12Askush mos tregoftë mirësi për të,
askujt mos iu dhimbshin jetimët e tij.
13Pasardhësit e tij u shfarosshin,
u shoftë emri i tyre pas një breznie.
14E kujtoftë Zoti paudhësinë e etërve të tij,
mëkatin e nënës së tij mos e shleftë.
15Para syve të Zotit qofshin përherë,
u zhduktë nga toka kujtimi i tyre.
16Se nuk u kujtua të tregojë mirësi,
por e mundonte skamnorin e nevojtarin,
zemërthyerin e ndiqte deri në vdekje.
17E donte mallkimin, rëntë, pra, mbi të!
S'e donte bekimin, qoftë, pra, larg tij!
18E vishte mallkimin si rrobë,
e pra, ia përshkoftë të përbrendshmet si uji
dhe kockat porsi vaji.
19Iu bëftë porsi rroba që vesh,
si brezi që mban përherë ngjeshur».
20Këtë shpagim paçin prej Zotit paditësit e mi,
bashkë me ata që flasin keq kundër shpirtit tim.
21E ti, o Zot, Zoti im, vepro për mua,
siç i ka hije emrit tënd!
E dashur është mirësia jote, shpëtomë!
22Se skamnor e nevojtar jam unë
e zemra ime sëmbon brenda meje.
23Po tretem si hija e muzgut,
po më shkundin si karkalecin.
24Gjunjët po më këputen nga të pangrënët,
mishi po më tretet pa dhjamë.
25Jam kthyer në përqeshje për ta,
kur më shikojnë, tundin kokën.
26Ndihmomë, o Zot, Perëndia im,
shpëtomë sipas mirësisë sate.
27Le ta dinë se kjo është dora jote
dhe se ti, o Zot, e bëre këtë.
28Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh.
Ata që ngrihen kundër meje do të turpërohen,
ndërsa shërbëtori yt do të gëzohet.
29U veshshin me turp ata që më paditin,
me turpin e vet si me petk u mbështjellshin.
30E unë do ta përlëvdoj Zotin me plot gojën,
në mes të turmës së madhe do ta lavdëroj.
31Se ai i rri në të djathtë skamnorit
dhe e shpëton nga ata që e gjykojnë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 109: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë