Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 107:1-43

Psalmet 107:1-43 AL1

Përlëvdoni ZOTIN, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Le ta thonë të shpenguarit prej ZOTIT, ata që prej dorës së armikut i shpengoi e bashkë i mblodhi prej vendeve të huaja, prej lindjes e prej perëndimit, prej veriut e prej anës së detit. Endeshin nëpër shkretëtirë, në vend të thatë, pa e gjetur udhën për ndonjë qytet të banuar. Kishin uri, kishin etje, po u këputej shpirti. Mes fatkeqësisë i thirrën ZOTIT dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve. U priu në një udhë të drejtë, që në një qytet të banuar të shkonin. Le të përlëvdojnë ZOTIN për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Se ai e ngiu shpirtin e të eturit, me të mira e mbushi shpirtin e të uriturit. Banonin në errësirë e në terr, të robëruar në mjerim e në pranga. Kishin kundërshtuar urdhrin e Perëndisë, kishin përbuzur këshillën e të Tejlartit. Prandaj ua përuli zemrën me mundime, u rrëzuan e s'kish kush t'i ndihmonte. Mes fatkeqësisë i thirrën ZOTIT dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve. Prej errësirës e prej territ i nxori, vargonjtë e tyre i këputi. Le të përlëvdojnë ZOTIN për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Ai i copëtoi portat prej bronzi, shulat prej hekuri i theu. Ishin marrosur prej jetës së shthurur, ishin mjeruar prej paudhësisë së tyre. Nuk u donte shpirti asnjë lloj ushqimi, kishin mbërritur te portat e vdekjes. Mes fatkeqësisë i thirrën ZOTIT dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve. Fjalën e vet dërgoi e i shëroi, prej gropës së varrit i shpëtoi. Le të përlëvdojnë ZOTIN për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Le t'i kushtojnë fli falënderimi, le të shpallin veprat e tij me ngazëllim. Ata që lundrojnë në det me anije, që nëpër ujërat e shumtë bëjnë tregti, ata i kanë parë veprat e ZOTIT dhe mrekullitë e tij nëpër thellësi. Ai foli dhe shpërtheu era e stuhishme, dallgët e detit lart u ngritën. Ngjiten në qiell, zbresin në humnerë, shpirti u këputet prej rrezikut. Lëkunden e dridhen si të dehur, tërë mjeshtëria u është sosur. Mes fatkeqësisë i thirrën ZOTIT dhe ai i nxori prej mjerimeve. Stuhinë e bëri bunacë, u qetësuan valët e detit. Prej qetësimit të valëve u gëzuan, në limanin e dëshiruar ai u priu. Le të përlëvdojnë ZOTIN për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Le ta lartësojnë në kuvendin e popullit, le ta lavdërojnë në këshillin e pleqve. Ai i ktheu lumenjtë në shkretëtirë, burimet e ujërave në vend të thatë. Tokën pjellore e ktheu në kripore, për shkak të ligësisë së banorëve të saj. Shkretëtirën e shndërroi në liqen, tokën e thatë në burime ujërash. Atje i strehoi të uriturit, atje ngritën qytete për të banuar. Mbollën ara, mbëltuan vreshta, që dhanë prodhim të mbarë. I bekoi e fort u shumuan, bagëtinë nuk ua pakësoi. Por mandej u mpakën e u poshtëruan prej mundimit të mjerimit e dhimbjes. Përçmim hodhi mbi prijësit, i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë. Të varfrin e shpëtoi nga mjerimi, familjet ua shtoi porsi bagëtitë. Do të shohin të drejtët e do të gëzojnë, çdo paudhësi gojën do të mbyllë. Kush është i urtë le t'i ruajë këto e mirësinë e ZOTIT le ta kuptojë.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Psalmet 107:1-43

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë