Tokën e dëshiruar e përbuzën,
fjalës së tij nuk i besuan.
Nëpër tendat e tyre murmuritën,
zërin e ZOTIT nuk e dëgjonin.
Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua,
që mu në shkretëtirë t'i plandoste,
që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste,
nëpër vende të huaja t'i hapërdante.
I ishin kushtuar Baalpeorit,
kishin ngrënë flitë e të vdekurve.
Me veprimet e tyre ia ndezën zemërimin,
prandaj mes tyre shpërtheu gjëma.
U ngrit Finehasi dhe bëri drejtësi,
e atëherë gjëma u ndal.
Kjo iu numërua për drejtësi,
brez pas brezi, në amshim.
E zemëruan sërish tek ujërat e Meribës,
për shkak të tyre e pësoi edhe Moisiu.
Ia hidhëruan shpirtin,
ndaj foli pa mend me buzët e veta.
Ata nuk i shfarosën popujt,
sikurse u kishte urdhëruar ZOTI.
Por u përzien mes kombeve,
veprat e tyre mësuan.
Idhujve të tyre u shërbyen,
që kurth për ta u bënë.
Djemtë e vajzat e veta,
djajve ua flijuan.
Derdhën gjak të pafajshëm,
gjakun e bijve dhe të bijave.
Ua flijuan idhujve të Kanaanit,
me gjakun e tyre toka u njollos.
U përlyen me veprat që bënë,
kryen tradhti me veprimet e tyre.
Flakë u ndez zemërimi i ZOTIT
kundër popullit të vet,
ndot i erdhi nga trashëgimia e tij.
Në duart e kombeve i lëshoi,
i sunduan ata që i urrenin.
Prej armiqve u shtypën,
nën zgjedhën e tyre u poshtëruan.
Herë pas here i çlironte,
por me synimet e tyre krye ngrinin
e thellë në paudhësi fundoseshin.
Ai e pa sërish mundimin e tyre
dhe përgjërimin e tyre e dëgjoi.
I ra ndër mend besëlidhja me ta,
prej mirësisë së tij të madhe u zbut.
I bëri të gjenin mëshirë
prej gjithë atyre që i kishin robëruar.
Shpëtona, o ZOT, Perëndia ynë,
prej kombeve ku gjendemi bashkona,
që të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë,
që të krenohemi me lavdinë tënde.
Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit,
nga mot e përgjithmonë!
Mbarë populli le të thotë: «Amen!».
Aleluja!