Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 106:1-23

Psalmet 106:1-23 AL1

Aleluja! Përlëvdoni ZOTIN se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Kush mund t'i kumtojë bëmat e ZOTIT, t'u japë jehonë tërë lavdërimeve të tij? Lum ata që zbatojnë të drejtën, që veprojnë me drejtësi në çdo kohë. Kujtomë, o ZOT, sipas mirëdashjes që tregon ndaj popullit tënd, eja tek unë me shpëtimin tënd, që të shoh të mirat e të zgjedhurve të tu, që të gëzoj edhe unë bashkë me kombin tënd, e të krenohem me trashëgiminë tënde. Kemi mëkatuar ashtu si etërit tanë, kemi kryer paudhësi, të keqen kemi bërë. Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan, mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan, krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq. Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter, përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente, i shpengoi prej dorës së armikut. Ujërat i mbuluan kundërshtarët, asnjë prej tyre nuk shpëtoi. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe lavdërime atij i kënduan. Por shpejt i harruan veprat e tij e më nuk pritën për shestimin e tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë, Perëndinë e tunduan në vend të shkretë. Kërkesën atyre ua plotësoi, por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse. Smirë e patën Moisiun në fushim dhe Aronin, të shenjtin e ZOTIT. U hap toka dhe Datanin e përpiu, turmën e Abiramit e groposi. Zjarri e përpiu grumbullin e tyre, flaka i dogji të paudhët. Një viç punuan në Horeb, një idhull të metaltë adhuruan. Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar. Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan, atë që në Egjipt vepra madhështore bëri, mrekulli në tokën e Kamit, gjëra të tmerrshme në detin e Kuq. Mendoi, atëherë, t'i shfaroste, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, mes çarjes, para tij qëndroi, që zemërimin e tij ta përmbante e të mos i shkatërronte.