Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 4

4
Porosi për të ndjekur urtinë
1Dëgjoni, o bij, mësimin e atit,
kini mendjen, që të njihni zgjuarsinë,
2se unë ju jap udhëzime të mira;
mos e shpërfillni ligjin tim.
3Kur për tim atë isha fëmijë
e për time më i butë e i dashur,
4ai më mësonte e më thoshte:
«Mblidhi fjalët e mia në zemrën tënde,
mbaj urdhërimet e mia e do të jetosh.
5Rrok urtinë, kap zgjuarsinë,
mos harro fjalët e gojës sime e mos i shmang.
6Mos e lër urtinë e ajo të ruan,
duaje e ajo të mbron.
7Fillimi i urtisë: rrok urtinë!
Jep çka ke arritur e kap zgjuarsinë.
8Vlerësoje e ajo të lartëson,
përqafoje e ajo të nderon.
9Do të të vërë në kokë një rreth hijeshie,
me kurorë bukurie do të të stolisë».
10Dëgjo, biri im, e nxëri fjalët e mia,
që të shumohen vitet e jetës sate.
11Po të tregoj udhën e urtisë,
po të prij shtigjeve të drejtësisë.
12Nuk do të të ngatërrohen hapat kur të ecësh
e, po të vraposh, nuk do të pengohesh.
13Ndiq rregullin e mos e lër,
zbatoje, se është jeta jote.
14Mos i hyr udhës së të paudhëve
e mos ec rrugës së të prapëve.
15Shmange e mos kalo andej,
dredho e ik tutje,
16se ata s'flenë pa bërë të keqen,
u ikën gjumi po s'dëmtuan kënd,
17se ata hanë bukën e prapësisë
dhe pinë verën e dhunës.
18Udha e të drejtëve është si drita e agimit
që shkon duke shndritur gjer në mesditë.
19Por udha e të prapëve është si terri i natës,
ata s'e dinë ku venë e pengohen.
20Biri im, ki mendjen te fjalët e mia,
merr vesh çfarë të kam thënë:
21mos i hiq sysh,
por ruaji mu në zemër,
22se janë jetë për kë i gjen
e shërim për tërë trupin e tij.
23Ruaj zemrën tënde mbi gjithçka,
se jeta prej saj buron.
24Mos u bëj gojëçartur
e as buzëprapë.
25Sytë e tu të shohin përballë,
drejt përpara ta kesh shikimin.
26Kujdesu për udhën ku vë këmbën
e do të jenë të sigurta shtigjet e tua.
27Mos u luhat as djathtas, as majtas,
shmangu nga e keqja.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë