Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Abdia 1:1-14

Abdia 1:1-14 AL1

Vegimi i Abdisë. «Kështu thotë ZOTI, Zoti im, për Edomin: dëgjuam një lajm prej ZOTIT, kasneci shpalli mes kombeve: “Ngrihuni! Përpara në luftë kundër Edomit!”. Ja, të bëra të vogël mes kombeve, shumë do të të përbuzin. Të gënjeu mendjemadhësia, ty që në shkrepa shkëmbinjsh banon e në banesa fisnike qëndron. Me vete thua: “Kush do të më hedhë përtokë?”. Edhe sikur të fluturosh lart porsi shqiponja, ndër yje ta ngresh folenë, poshtë do të të hedh, kumton ZOTI. Nëse kusarët, grabitësit e natës, hyjnë brenda, a nuk do të bastisin vetëm aq sa munden? Nëse korrësit vijnë për të korrur, a nuk do të lënë mbrapa ndonjë kalli? Por ti, ke marrë fund krejt! Ah, si u plaçkit Esau! Si u rrëmuan thesaret e tij! Të zbuan përtej kufijve tërë besëlidhësit e tu, të mashtruan, të mposhtën paqedashësit e tu. Miqtë e sofrës pritë të kanë vënë, por ti s'kupton gjë. Atë ditë, kumton ZOTI, a nuk do ta shuaj të urtin prej Edomit, mençurinë prej malit të Esaut? Trimat e tu do të tmerrohen, o Teman, e në malin e Esaut kërdija do të zhbijë çdokënd. E dhunove vëllain tënd, Jakobin, ndaj turpi do të të mbulojë e do të shuhesh përgjithmonë. Ditën kur ndenje mënjanë, kur të ardhurit ia zunë rob pasurinë, kur të huajt i hynë në qytet, e për Jerusalemin hodhën short, edhe ti ishe si një prej tyre. Ti s'duhej të rrije e të vështroje, ditën kur yt vëlla u zu ngushtë. S'duhej të festoje, ditën kur bijtë e Judës u shkatërruan. S'duhej të mburreshe, ditën e fatkeqësisë. S'duhej të hyje brenda qytetit të popullit tim, ditën kur u shkatërrua, e as të kundroje të keqen që e zuri, ditën kur u shkatërrua. S'duhej t'ia prekje pasurinë, ditën kur u shkatërrua. S'duhej të rrije udhëkryqeve, për të vrarë të ikurit e tij. S'duhej t'i dorëzoje ata që shpëtuan, ditën e fatkeqësisë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë