Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 9:1-29

Marku 9:1-29 AL1

Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi». Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç'do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të». Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët!». Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë. Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë